Dita botërore e insultit cerebral

Këtë vit dita botërore e insultit cerebral ose siç njihet rëndom goditjet në tru, i është kushtuar grave. Slogan i saj është “ Unë jam grua, goditjet në tru më prekin edhe mua”. Kjo sëmundje është cilësuar si epidemi globale e heshtur. Gjinia femërore është më e rrezikuar për të pësuar këto goditje.
ÇFARE ESHTE NJE INSULT APO GODITJE CEREBRALE?
Insulti cerebral ndodh kur qarkullimi i gjakut në tru ndërpritet dhe për pasojë, qelizat e trurit në zonën e prekur fillojnë të vdesin nga mungesa e oksigjenit dhe lëndëve ushqyese, të cilat janë të nevojshme për funksionimin e tyre. Masa dhe vendndodhja e qelizave të dëmtuara përcaktojnë shkallën e goditjes, e cila mund të shkojë nga minimalja deri në katastrofë. Miliona qeliza të trurit vdesin çdo minutë kur goditja është e patrajtuar.

Të dhëna:

Një në gjashtë njerëz është në rrezik për insulte cerebrale; ai mund të jeni ju.

17 milionë njerëz çdo vit pësojnë një goditje në tru.

Çdo sekondë të vitit, dikush që mund të jetë një i rritur ose fëmijë, burrë ose grua, vuan nga një goditje në tru.

Insultet cerebrale janë shkaku i dytë i vdekjeve të njerëzve mbi moshën 60 vjeç, dhe shkaku i pestë te njerëzit e moshës 15 deri 59 vjeç.

Kjo sëmundje gjithashtu mund të shfaqet edhe te fëmijët, përfshirë këtu edhe të sapolindurit.

Një në 6 burra dhe një në 5 gra është në rrezik për të vuajtur një goditje në tru.

Çdo vit rreth 6 milionë njerëz në botë vdesin nga insultet cerebrale.

Goditja në tru parashikohet të marrë jetën e 6.5 milionë njerëzve çdo vit deri në vitin 2015, ndaj tani është koha për të vepruar.

Goditja në tru, në rreth 65% të rasteve është shkaktari kryesor i paaftësisë, ose aftësive të kufizuara në mbarë botën.

 

Në çdo 10 vdekje nga insultet, 6 vdekje ndodhin kryesisht te gratë në moshë të madhe.

Çdo vit vdesin 3.3 milionë gra nga goditjet në tru.

Shumë faktorë kryesorë të rrezikut të goditjes në tru janë të pranishëm më shpesh te gratë sesa te burrat.

Gratë kanë më shumë faktorë rreziku për goditjen në tru si: Hipertensioni, Fibrilacioni atrial, Diabeti, Migrena, Depresioni, Obeziteti.

Barra për t’u kujdesur për një të sëmurë që ka pësuar goditje në tru bie kryesisht te gratë. Ato, në rreth 65% të të mbijetuarve nga goditja, janë ndihmëset e para, kujdestaret apo infermieret për një anëtar familjeje, ose mike gjatë rikuperimit pas goditjes në tru.

 

Por mjekët pohojnë se goditjet cerebrale mund të parandalohen, madje të sëmurët mund të shërohen plotësisht. Ndaj është e rëndësishme të njihen shkaqet e tyre:

Presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe niveli i kolesterolit në gjak.

Obeziteti

Përdorimi i alkolit tej normave të lejuara.

Pirja e duhanit

 

 

Dita boterore e Osteoporozes

Këtë vit fushata për osteoporozën është fokusuar te meshkujt. 

Me plakjen e popullsisë, një numër gjithnjë e në rritje i meshkujve në moshë do të vuajnë nga fraktura të ndryshme. 

Mesazhi I kesaj dite është:

“Kocka të forta – Burra të vërtetë ”

Në mbarë botën, 1 në 5 burra mbi moshën 50 vjeç mund të thyejnë apo pësojnë thyerje të kockave si rrjedhojë e osteoporozës. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë identifikuar apo trajtuar për këtë sëmundje të “heshtur”, edhe pasi ata kanë pasur një thyerje të kockave. 

ÇFARË ËSHTË OSTEOPOROZA?

Osteoporoza është një sëmundje e cila dobëson kockat gradualisht, duke çuar në dhimbjen dhe thyerjen e tyre. Çdo kockë mund të thyhet si rrjedhojë e osteoporozës, por kockat që thyhen më shpesh dhe janë më serioze si thyerje janë kockat e legenit dhe shpina.

TE DHENA:

• Osteoporoza shkakton më shumë se 8.9 milionë thyerje në vit në mbarë botën.

• Çdo 3 sekonda ndodh thyerje e kockave nga osteoporoza.

• Afërsisht, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 burra, të moshës mbi 50 vjeç, mund të vuajnë nga një frakturë nga osteoporoza në vitet në vazhdim.

• Për meshkujt, risku për të pësuar një frakturë nga osteoporoza është më i madh sesa ai për të pasur kancer të prostatës.

• Vetëm në Bashkimin Evropian kostoja e frakturave të lehta është më e madhe se 37 bilionë euro çdo vit dhe po vjen vazhdimisht duke u rritur. Deri në vitin 2025 mendohet të rritet me 25%.

• Një thyerje kocke e mëparshme, para moshës 50 vjeç, shoqërohet me një rritje 

të riskut 86% për të pësuar një thyerje tjetër të kockave.

• Thyerjet e kockave të legenit shkaktojnë sëmundshmëri të madhe me vdekshmëri 20% - 24% në vitin e parë, dhe risku i vdekshmërisë bëhet më i madh në 5 vitet në vazhdim.

• Në vitin 2050, incidenca e thyerjeve të kockave të legenit në mbarë botën është projektuar të rritet me 310% te burrat dhe 240% te gratë.

• Tek individët që pësojnë thyerje të kockave, humbja e funksionit dhe pavarësisë është shumë e thellë, ku 40% nuk janë në gjendje të ecin në mënyrë të pavarur, dhe 60% kërkojnë që të asistohen nga një infermiere një vit më vonë pasi janë dëmtuar. Si rrjedhojë, 33% e individëve që kanë pësuar një frakturë të kockave të legenit, pas një viti kanë nevojë për asistencën e të tjerëve. 

• Urbanizimi dhe plakja e popullsisë po çojnë në një rritje të shpejtë të barrës së sëmundjes së osteoporozës. 

Osteoporoza është konsideruar shpesh si një sëmundje vetëm e grave, por 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç mund të pësojë thyerje kocke për shkak të osteoporozës. 

FAKTE PËR MESHKUJT :

• Thyerja e kockave shkakton palëvizshmëri, paaftësi për një kohë të gjatë dhe dhimbje të forta; rezultati është cilësi e dobët e jetës dhe humbje e pavarësisë së burrave në moshë.

• Rreziku përgjatë jetës për thyerje të kockave është më i lartë sesa rreziku për të zhvilluar një kancer të prostatës.

• 1/3 e të gjitha thyerjeve të kockave të legenit në mbarë botën ndodhin te burrat. Studimet tregojnë se 37% e pacientëve meshkuj vdesin që në vitin e parë pasi kanë thyer një kockë të legenit. 

• Meshkujt kanë më shumë gjasa sesa femrat që të vuajnë nga thyerja e kockave, me pasoja të rënda deri në vdekje: zakonisht, meshkujt kur bëjnë thyerjen e parë janë më të moshuar sesa gratë. 

• Si rrjedhojë e një frakture humbet produktiviteti në punë: në veçanti thyerjet në shpinë mund të ndikojnë në punën e meshkujve të moshës 50-65 vjeç.

Faktorët e riskut janë:

• Mosha – humbja e densitetit të kockave rritet me moshën, dhe tek meshkujt rritet më shpejt rreth moshës 70 vjeç.

• Historia familjare – nëse prindërit kanë osteoporozë ose kanë pasur një thyrje të kockave gjatë jetës, atëherë rreziku juaj për të pasur osteoporozë është i lartë.

• Thyerja e një kocke në moshën 50 vjeç ose në moshë më të madhe – nëse një person ka thyer një kockë atëhere ai është dyfish i rrezikuar për të patur një thyerje tjetër.

• Përdorimi për një periudhë të gjatë i kortizonikëve (më shumë se 3 muaj) –përdorimi i këtyre medikamenteve është një nga shkaqet më të zakonshme në osteoporozën sekondare.

• Hipogonadizmi primar ose sekondar, nga mungesa e testosteroneve. Kjo sëmundje ndodh tek 12.3% e meshkujve dhe shpesh rezulton nga defektet e testeve. Gjithashtu, ulja e nivelit të testosteroneve shkaktohet edhe nga terapia me androgjen në rastet e kancerit të prostatës.

• Përdorimi i disa medikamenteve si përdorimi i tepërt i hormonit të tiroides, antipsikotikët, antikonvulsantët, antiepileptikët, litiumi, etj. janë një risk për zhvillimin e osteoporozës te meshkujt.

• Disa sëmundje kronike si artriti reumatoid, sëmundja Crohn, diabeti tipi 1 dhe 2, sëmundja celiake, hiperparatiroidizmi, sëmundjet kronike të veshkave dhe të mëlçisë, hiperkalciuria, etj.

FAKTORËT E RISKUT PËR OSTEOPOROZËN LIDHUR ME STILIN E JETËS

•Duhanpirja 

•Përdorimi i tepruar i alkoolit

•Dieta e varfër, sidomos me ushqime me pak kalcium

•Pamjaftueshmëria apo mungesa e Vitaminës D

• Mungesa e aktivitetit fizik 

• Indeksi i masës trupore shumë i ulët (BMI < 20)

A DUHET KRYER NDONJË EKZAMINIM?

Nëse jeni 70 vjeç ose më shumë ju duhet të kontaktoni me një doktor. Nëse jeni më të rinj, mosha 50 – 69 vjeç, ju duhet të dini nëse keni të pranishëm faktorë risku për zhvillimin e osteoporozës si : 

• Thyerje të kockave, në moshën 50 vjeç ose më parë, si pasojë e një rrëzimi. 

• Jeni duke u mjekuar me kortizonikë.

• Keni nivele të ulëta të testosteronit (hipogonadizëm).

5 HAPA PËR TË PËMIRËSUAR SHËNDETIN E KOCKAVE

HAPI 1. AKTIVITET FIZIK I RREGULLT

HAPI 2. LËNDË USHQYESE PËR KOCKA TË SHËNDETSHME

HAPI 3. SHMANGNI MËNYRËN JO TË SHËNDETSHME TË JETESËS

HAPI 4. IDENTIFIKIMI I FAKTORËVE TË RREZIKUT

HAPI 5. MERRNI ILAÇE PËR OSTEOPOROZËN NËSE JUA KËSHILLON MJEKU

                                                                                                            

 

                                                                                                                                            *Burimi ISHP