Mbahet Konferenca e 6 Mediko-Kirurgjikale

Te Shtunen ne ambjentet e Telemjekesise ne SRD u mbajt Konferenca e 6 Mediko-Kirurgjikale. Ajo u ndoq ne kohe reale nga koleget e disa spitaleve te tjera ne vend, permes telemjekesise. Ne konference u referuan tema shume interesante nga mjeke shqiptare, amerikane dhe profesore nga Italia. Ne vijim fjala e plote e drejtores se spitalit Znj. Ardiola Frasheri:

 

Edukimi ne vazhdim I profesionistëve të shëndetësisë është një nga elementët thelbësorë të procesit të përmirësimit të cilësisë së ofruar të kujdesit shëndetësor, mënyrës së funksionimit dhe performances të gjithë sistemit.

Aktualisht në ambjentin globalist ku jetojmë, nuk ka sesi të shmanget procesi i edukimit përgjatë gjithë jetës, sidomos në një fushë me rëndësi jetike si mjekësia. Ashtu si ndodh në Europë ku synojmë të integrohemi, ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës studimi në vazhdimësi është kthyer në normalitet në shumë profesione dhe sidomos në fushën e mjekësisë, në këtë profesion sa fisnik dhe të vështirë.

Njohja me të rejat e shkencës, ndryshimet në protokollet e mjekimit, futja e metodave të reja diagnostikuese e kuruese, shkaqet e zhvillimit me shpejtësi të sëmundjeve, shfaqja e viruseve të rinj të panjohur më parë, por edhe rritja e imunitetit ndaj antibiotikëve, duhet të na bëjnë më vigjilentë për të qënë në një hap me evoluimin mjekësor dhe ta kthejnë edukimin në vazhdim një sfidë më vete.

Sistemi i edukimit në vazhdim është tashmë një institucion për shëndetësinë shqiptare nga 2010. Për ministrinë e shëndetësisë, dhe konkretisht për derjtuesit e Spitalit të Durrësit, procesi i edukimit në vazhdim merr rëndësi jetike, pasi prek d.p.d jetën e pacientëve.

Duke qënë të ndërgjegjshëm për ngarkesën në përditshmërinë e cdo mjeku, aq më tepër në një spital që mbulon një rajon të madh, përmes konferencave të tilla synohet të jepet një ndihmesë në detyrimin tuaj për plotësimin e krediteve. 

Siç edhe e dini ky process ka nisur në vitin 2010 dhe në fund të këtij viti secili nga ju duhet të plotësojë kuotën prej 150 kreditesh. Unë e di dhe e vlerësoj maksimalisht faktin që në SRD ka shumë mjekë që jo vetëm e kanë plotësuar, por edhe tejkaluar këtë sasi. Por dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast, për t`ju kujtuar mjekëve që nuk i kanë plotësuar kreditet, se kanë mbetur 2 muaj e gjysmë nga afati i vendosur nga ministria e shëndetësisë. 

Si rrjedhojë e arsyeve të renditura më sipër, konferenca të tilla si kjo Mediko-Kirurgjikale, e 6 e këtij lloji në Spitalin Rajonal të Durrësit, marrin një rëndësi të vecantë. Me shumëllojshmërinë e temave që do të trajtojnë doktorë të nderuar të spitalit tonë, miqtë Paul dhe Susan nga shtetet e bashkuara apo Giusepe Evangelista, mjeku i njohur i spitalit të pizzas, kjo konferencë do të jetë një eksperiencë e vlefshme për ne të gjithë. Studimet që do vijojnë, prekin disa nga grup-sëmundjet më të përhapura duke nisur nga diabeti, infarkti cerebral apo edhe metodat e fundit të anestezisë etj, ndaj uroj dhe besoj që do të marrin vëmendjen tuaj maksimale. 

Duke besuar në profesionalizmin e stafit që unë drejtoj, mendoj se Spitali Rajonal I Durrësit do të jetë një shembull për tu ndjekur në drejtim të edukimit në vazhdim. 

Pë t`u lënë më shumë kohë në dispozicion teknicienëve, po e mbyll duke falenderuar sponsored që e kanë mbështetur këtë konferencë, ekipin e QKEV dhe ekipin organizator të kësaj konference. 

Ju falenderoj për vëmendjen dhe i uroj suksese Konferencës së 6 Mediko-Kirurgjikale.