Dita boterore e Osteoporozes

Këtë vit fushata për osteoporozën është fokusuar te meshkujt. 

Me plakjen e popullsisë, një numër gjithnjë e në rritje i meshkujve në moshë do të vuajnë nga fraktura të ndryshme. 

Mesazhi I kesaj dite është:

“Kocka të forta – Burra të vërtetë ”

Në mbarë botën, 1 në 5 burra mbi moshën 50 vjeç mund të thyejnë apo pësojnë thyerje të kockave si rrjedhojë e osteoporozës. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë identifikuar apo trajtuar për këtë sëmundje të “heshtur”, edhe pasi ata kanë pasur një thyerje të kockave. 

ÇFARË ËSHTË OSTEOPOROZA?

Osteoporoza është një sëmundje e cila dobëson kockat gradualisht, duke çuar në dhimbjen dhe thyerjen e tyre. Çdo kockë mund të thyhet si rrjedhojë e osteoporozës, por kockat që thyhen më shpesh dhe janë më serioze si thyerje janë kockat e legenit dhe shpina.

TE DHENA:

• Osteoporoza shkakton më shumë se 8.9 milionë thyerje në vit në mbarë botën.

• Çdo 3 sekonda ndodh thyerje e kockave nga osteoporoza.

• Afërsisht, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 burra, të moshës mbi 50 vjeç, mund të vuajnë nga një frakturë nga osteoporoza në vitet në vazhdim.

• Për meshkujt, risku për të pësuar një frakturë nga osteoporoza është më i madh sesa ai për të pasur kancer të prostatës.

• Vetëm në Bashkimin Evropian kostoja e frakturave të lehta është më e madhe se 37 bilionë euro çdo vit dhe po vjen vazhdimisht duke u rritur. Deri në vitin 2025 mendohet të rritet me 25%.

• Një thyerje kocke e mëparshme, para moshës 50 vjeç, shoqërohet me një rritje 

të riskut 86% për të pësuar një thyerje tjetër të kockave.

• Thyerjet e kockave të legenit shkaktojnë sëmundshmëri të madhe me vdekshmëri 20% - 24% në vitin e parë, dhe risku i vdekshmërisë bëhet më i madh në 5 vitet në vazhdim.

• Në vitin 2050, incidenca e thyerjeve të kockave të legenit në mbarë botën është projektuar të rritet me 310% te burrat dhe 240% te gratë.

• Tek individët që pësojnë thyerje të kockave, humbja e funksionit dhe pavarësisë është shumë e thellë, ku 40% nuk janë në gjendje të ecin në mënyrë të pavarur, dhe 60% kërkojnë që të asistohen nga një infermiere një vit më vonë pasi janë dëmtuar. Si rrjedhojë, 33% e individëve që kanë pësuar një frakturë të kockave të legenit, pas një viti kanë nevojë për asistencën e të tjerëve. 

• Urbanizimi dhe plakja e popullsisë po çojnë në një rritje të shpejtë të barrës së sëmundjes së osteoporozës. 

Osteoporoza është konsideruar shpesh si një sëmundje vetëm e grave, por 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç mund të pësojë thyerje kocke për shkak të osteoporozës. 

FAKTE PËR MESHKUJT :

• Thyerja e kockave shkakton palëvizshmëri, paaftësi për një kohë të gjatë dhe dhimbje të forta; rezultati është cilësi e dobët e jetës dhe humbje e pavarësisë së burrave në moshë.

• Rreziku përgjatë jetës për thyerje të kockave është më i lartë sesa rreziku për të zhvilluar një kancer të prostatës.

• 1/3 e të gjitha thyerjeve të kockave të legenit në mbarë botën ndodhin te burrat. Studimet tregojnë se 37% e pacientëve meshkuj vdesin që në vitin e parë pasi kanë thyer një kockë të legenit. 

• Meshkujt kanë më shumë gjasa sesa femrat që të vuajnë nga thyerja e kockave, me pasoja të rënda deri në vdekje: zakonisht, meshkujt kur bëjnë thyerjen e parë janë më të moshuar sesa gratë. 

• Si rrjedhojë e një frakture humbet produktiviteti në punë: në veçanti thyerjet në shpinë mund të ndikojnë në punën e meshkujve të moshës 50-65 vjeç.

Faktorët e riskut janë:

• Mosha – humbja e densitetit të kockave rritet me moshën, dhe tek meshkujt rritet më shpejt rreth moshës 70 vjeç.

• Historia familjare – nëse prindërit kanë osteoporozë ose kanë pasur një thyrje të kockave gjatë jetës, atëherë rreziku juaj për të pasur osteoporozë është i lartë.

• Thyerja e një kocke në moshën 50 vjeç ose në moshë më të madhe – nëse një person ka thyer një kockë atëhere ai është dyfish i rrezikuar për të patur një thyerje tjetër.

• Përdorimi për një periudhë të gjatë i kortizonikëve (më shumë se 3 muaj) –përdorimi i këtyre medikamenteve është një nga shkaqet më të zakonshme në osteoporozën sekondare.

• Hipogonadizmi primar ose sekondar, nga mungesa e testosteroneve. Kjo sëmundje ndodh tek 12.3% e meshkujve dhe shpesh rezulton nga defektet e testeve. Gjithashtu, ulja e nivelit të testosteroneve shkaktohet edhe nga terapia me androgjen në rastet e kancerit të prostatës.

• Përdorimi i disa medikamenteve si përdorimi i tepërt i hormonit të tiroides, antipsikotikët, antikonvulsantët, antiepileptikët, litiumi, etj. janë një risk për zhvillimin e osteoporozës te meshkujt.

• Disa sëmundje kronike si artriti reumatoid, sëmundja Crohn, diabeti tipi 1 dhe 2, sëmundja celiake, hiperparatiroidizmi, sëmundjet kronike të veshkave dhe të mëlçisë, hiperkalciuria, etj.

FAKTORËT E RISKUT PËR OSTEOPOROZËN LIDHUR ME STILIN E JETËS

•Duhanpirja 

•Përdorimi i tepruar i alkoolit

•Dieta e varfër, sidomos me ushqime me pak kalcium

•Pamjaftueshmëria apo mungesa e Vitaminës D

• Mungesa e aktivitetit fizik 

• Indeksi i masës trupore shumë i ulët (BMI < 20)

A DUHET KRYER NDONJË EKZAMINIM?

Nëse jeni 70 vjeç ose më shumë ju duhet të kontaktoni me një doktor. Nëse jeni më të rinj, mosha 50 – 69 vjeç, ju duhet të dini nëse keni të pranishëm faktorë risku për zhvillimin e osteoporozës si : 

• Thyerje të kockave, në moshën 50 vjeç ose më parë, si pasojë e një rrëzimi. 

• Jeni duke u mjekuar me kortizonikë.

• Keni nivele të ulëta të testosteronit (hipogonadizëm).

5 HAPA PËR TË PËMIRËSUAR SHËNDETIN E KOCKAVE

HAPI 1. AKTIVITET FIZIK I RREGULLT

HAPI 2. LËNDË USHQYESE PËR KOCKA TË SHËNDETSHME

HAPI 3. SHMANGNI MËNYRËN JO TË SHËNDETSHME TË JETESËS

HAPI 4. IDENTIFIKIMI I FAKTORËVE TË RREZIKUT

HAPI 5. MERRNI ILAÇE PËR OSTEOPOROZËN NËSE JUA KËSHILLON MJEKU

                                                                                                            

 

                                                                                                                                            *Burimi ISHP