Bashkepunimi me Spitalin Rajonal të Durrësit

Spitali Rajonal Durrës është pjesë e projektit “Modeli i Adriatikut për një Lëvizshmëri të Qëndrueshme në Sektorin e Kujdesit Shëndetësor (AdriHealthMob).”Ky projekt është financuar nga BE dhe aplikohet në spitalin e dytë në vend, si nga rëndësia ashtu edhe nga fluksi i pacientëve. Ai synon të sjellë një koncept të ri në lëvizjen e udhëtarëve, për një shëndet të sigurtë brenda dhe jashtë kufijve.

Ky koncept merr një rëndësi të vecantë në këtë spital që ndodhet në qytetin me portin më të madh në vend. Sipas të dhënave të autoritetet portual të Durrësit, në një vit regjistrohen rreth 900.000 pasagjerë që lëvizin përmes tij. Një pjesë e tyre janë fëmijë, grupmosha më e prekur nga sëmundshmëritë dhe një kontigjent i mundshëm për t`u semurur gjatë udhëtimit. Periudhat më të ngarkuara janë festat e fundvitit, vera dhe disa festa që sjellin në shqipëri mijëra emigrantë. Ndaj projekti parashikon masa efektive në këto ditë, për t`ju siguruar udhëtarëve për kujdes shëndetësor edhe menjëherë pas apo para udhëtimit.Spitali Rajonal i Durrësit përballon një gamë të gjerë sëmundshmërish, me një staf të përgatitur mjekësh dhe infermierësh. Edhe për shkak të vendndodhjes së tij spitali trajton dhe kuron mijëra pacientë, përfshirë edhe ata që kanë problem shëndetësore gjatë udhëtimeve të tyre. Perzgjedhja e spitalit te Durresit vjen si pasojë e ekzistencës së qendrës së telemedicinës që lehtëson trajtimin e pasagjerëve. Kjo qendër tashmë funksionale, bën të mundur në kohë reale konsultën me mjekë përtej Adriatikut për diagnoza të ndryshme. Përmes lidhjes me specialistët e shtetit fqinj, mjekët e Spitalit të Durrësit kanë arritur të zgjidhin problematika të rënda shëndetësore.