Konferenca e 7 mediko-kirurgjikale

U zhvillua sot në Spitalin Rajonal të Durrësit, Konferenca e 7 Mediko-Kirurgjikale, me mbështetjen e projektit AdriHealthMob. Mes tematikave të shumta mbi ndërhyrjet kirurgjikale, diabetin, sëmundjet kancerogjene, politraumat etj mjekët shkëmbyen eksperiencat mes tyre dhe partnerëve ndërkombëtarë. Synimi i projektit është ofrimi i një shërbimi cilësor shëndetësor edhe gjatë kohës kur pacientët janë në udhëtim.


Gjatë fjalës së saj në hapje të Konferencës drejtorja Znj. Ardiola Frashëri deklaroi:  

“Kjo konferencë e 7 Mediko-Kirurgjikale është mbështetur nga AdriHealthMob, një partner i rëndësishëm i spitalit tonë prej disa kohësh tashmë. Krijimi i urave mjekësore na jep mundësinë që të trajtojmë më mirë diagnozat që paraqiten në spitalin tonë. Por gjithashtu i japin më shumë siguri çdo qytetari që udhëton e që potencialisht mund të jetë një pacient, se pavarësisht lëvizjes së tij, ndihma shëndetësore do ti jepet në kohë reale. Jo më larg se këtë verë ne kemi pasur një eksperiencë shumë të mirë me këtë projekt të financuar nga BE. Stafi mjekësor që u instalua në ambjentet e terminalit të udhëtarëve në portin e Durrësit ka dhënë ndihmë mjekësore për qindra pasagjerë që udhëtuan gjatë verës përmes kësaj pike kufitare. Sipas të dhënave të stafit atje, 65 persona kanë pasur ndërlikime të mëdha shëndetësore, e janë dërguar në spital për ndërhyrje të specializuar. Ndërsa për pjesën tjetër të pasagjerëve është dhënë asistencë mjekësore edhe brenda ambjenteve të trageteve që kanë ardhur në portin e Durrësit”.