1 Dhjetor dita boterore kunder HIV-AIDS

Data 1-Dhjetor eshte dita Dita botërore kundër HIV/AIDS

 

 

Kjo date ka te beje me ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS dhe për të demonstruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie..

Çfarë është AIDS-i?

AIDS (Acquired Immune Deficiency Syndrome) është një term që i referohet fazës më të avancuar të infeksionit HIV. AIDS është dëmtimi i parikthyeshëm dhe progresiv i sistemit imunitar të njeriut prej virusit HIV, i cili çorganizon gjithë sistemin imunitar të tij.

Cilat janë shenjat e AIDS-it?

Shumë persona që jetojnë me HIV, në muajt e parë mbas infektimit, nuk kanë shenja të dukshme dhe nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre/statusit pozitiv deri në fazat e vonshme.

Për t’u zhvilluar shenjat, përgjithësisht mund të kalojnë nga 2 deri në 15 vjet, nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e tyre, në varësi të personit.

Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë simptomë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin, duke përfshirë ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Më pas, me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit.

Shenjat më të shpeshta janë: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, dobësi e madhe, ethe/temperaturë e vazhdueshme, diarre e vazhdueshme që nuk dominohet nga mjekimi, kollë dhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve .Pa trajtim, ata mund të zhvillojnë sëmundje të rënda të tilla si tuberkulozi, meningjiti dhe lloje të ndryshme kanceri.

Si transmetohet HIV-i?

HIV mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të infektuara të trupit si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.

Disa sjellje e kushte që sjellin rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë:

  • Marrëdhënie seksuale të pambrojtura, vaginale ose anale.
  • Infeksione seksualisht të transmetueshme si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore.
  • Shkëmbimin e gjilpërave të kontaminuara, shiringave dhe pajisjeve të tjera gjatë injektimit të drogës.
  • Marrjen e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, si dhe procedurat mjekësore që përfshijnë prerjen josterile me instrumente të mprehta të kontaminuara.
  • Shpimet aksidentale me gjilpërë, përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor.
  • Transmetimin nga një nënë e infektuar te fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji.

 

Njerëzit nuk mund të infektohen nëpërmjet kontaktit të zakonshëm gjatë bashkëjetesës normale që mund të sjellë përdorimin e përbashkët të dushit, vaskës, wc-së, peshqirit, telefonit, mjeteve të transportit publik, pishinës, frekuentimit të shkollës etj. Po ashtu, infeksioni HIV nuk rezulton të merret nga e puthura, përqafimi, shtrëngimi i duarve, teshtitja dhe kollitja, si dhe nuk transmetohet përmes ujit, ushqimit, ajrit, pickimit të insekteve apo kujdesit për kafshët.

Si parandalohet infeksioni HIV?

 

Njerëzit mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut.