Statuti

VENDIM

Nr. 237, datë 12.4.2006

PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.560, DATË 23.10.2000 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE “PËR MIRATIMIN E PROJEKTIT PILOT PËR PËRFSHIRJEN E SPITALIT TË DURRËSIT NË SKEMËN E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 24 dhe 36 të ligjit nr.7870, datë 13.10.1994, “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në vendimin nr.560, datë 23.10.2000 të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime:

1. Statuti i spitalit të Durrësit, që i bashkëlidhet vendimit, të zëvendësohet me statutin, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Në pikën 3 të bëhen ndryshimet e mëposhtme:

i) Paragrafi i tretë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“- Spitali financohet nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, sipas kontratës së lidhur ndërmjet tyre. Në kontratë përcaktohen:

a) Paketa e shërbimeve me “njësitë” e parashikuara për çdo shërbim.

b) Vëllimi minimal dhe maksimal i punës.

c) Mënyrat e mbajtjes së të dhënave dhe të raportimit.

ç) Mënyra e llogaritjes së kostos.

d) Pagesat për shërbimet.

dh) Treguesit e monitorimit të cilësisë.

e) Mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve.

Burime të tjera financimi për spitalin e Durrësit janë fondet e krijuara nga të ardhurat dytësore dhe dhurimet e mundshme. Investimet kapitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë.”.

ii) Fjalia e dytë, e paragrafit të shtatë, shfuqizohet.

iii) Paragrafi i tetë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“- Spitali zbaton normat minimale, detyrimisht të respektueshme, të vendosura dhe të miratuara nga Ministri i Shëndetësisë për numrin e personelit, për përdorimin e materialeve të buta, të lëndëve djegëse dhe të ushqimit.”.

iv) Paragrafi i nëntë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“- Spitali zbaton tarifat për shërbimet me pagesë, të përcaktuara në vendimin nr.527, datë 1.11.1993 të Këshillit të Ministrave “Për caktimin e çmimeve në sistemin e shërbimit shëndetësor”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore, të nxjerra nga Ministri i Shëndetësisë. Qëllimi, mënyra dhe masa e përdorimit të të ardhurave dytësore, të realizuara nga spitali, caktohen nga bordi.”.

v) Paragrafi i njëmbëdhjetë ndryshohet, si më poshtë vijon:

“- Ministria e Shëndetësisë ushtron kontroll mbi veprimtarinë, teknike e mjekësore, të spitalit dhe në zbatimin e investimeve publike. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ushtron kontroll në spitalin e Durrësit, për veprimtarinë financiare dhe për çështjet e parashikuara dhe të shprehura, në mënyrë të qartë, në kontratën e lidhur.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

Sali Berisha

STATUTI I SPITALIT DURRËS

Neni 1

Spitali i Durrësit është person juridik publik, në kuptim të nenit 25 të Kodit Civil, me qendër në Durrës.

Neni 2

Spitali, si institucion i shërbimit shëndetësor publik, është jofitimprurës. Spitali ushtron veprimtarinë e tij sipas ligjit bazë të shërbimit shëndetësor, si edhe të ligjit të shërbimit spitalor në Republikën e Shqipërisë. Infrastruktura fizike dhe pajisjet e këtij spitali janë pronë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Neni 3

Spitali drejtohet nga Bordi dhe drejtori i spitalit. Bordi është organi më i lartë ekzekutiv i spitalit.

Neni 4

Bordi i spitalit përbëhet nga 9 anëtarë. Përbërja e tij është si më poshtë:

– 1 përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë;

– 1 përfaqësues i DSHP-së Durrës;

– 1 përfaqësues i prefekturës;

– 1 përfaqësues i shoqatës së biznesmenëve Durrës;

– 2 përfaqësues të ISKSH-së;

– 1 përfaqësues i Urdhrit të Mjekut;

– 1 përfaqësues i shoqatës së pacientëve;

– 1 përfaqësues nga sindikata më e përfaqësuar për shëndetësinë në Durrës;

– Drejtori i spitalit (pa të drejtë vote).

Mbledhjet e Bordit janë të hapura. Bordi mund të thërrasë në mbledhjet e tij të gjithë drejtuesit e spitalit dhe/ose specialistë, ekspertë të tjerë jashtë spitalit, për çështje të ndryshme.

Neni 5

Secila nga organizatat apo institucionet e përmendura, caktojnë përfaqësuesit e tyre në Bord. Periudha e përfaqësimit në Bord është 3 vjet. Anëtarët e Bordit kanë të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se dy herë radhazi.

Neni 6

Kryetari i Bordit është përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë. Nënkryetari zgjidhet nga Bordi me votim të fshehtë.

Neni 7

Mbledhja thirret nga kryetari i Bordit dhe njoftohet me shkrim të paktën 7 ditë përpara duke bërë të ditur dhe rendin e ditës. Drejtori i spitalit ka të drejtë të kërkojë mbledhjen e Bordit, kur gjykon se kërkohen vendime të shpejta që nuk janë në kompetencën e tij. Kur mbledhja thirret nga drejtori, kriteri i afatit nuk zbatohet.

Neni 8

Mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm 2/3 e anëtarëve, në rast të kundërt mbledhja shtyhet për ditën tjetër, duke përsëritur lajmërimin. Në këtë rast, mjafton një e dyta e anëtarëve.

Për mbledhjen e Bordit mbahet procesverbal nga një person i përhershëm i autorizuar nga kryetari.

Vendimet e Bordit nënshkruhen nga kryetari dhe depozitohen në spital.

Bordi mblidhet jo më pak se 4 herë në vit.

Neni 9

Vendimet e Bordit merren me shumicë votash. Çdo anëtar i Bordit ka të drejtën e një vote. Kur votat barazohen, vota e kryetarit është vendimtare.

Neni 10

Nënkryetari i bordit ushtron të drejtat e kryetarit në mungesë të tij.

Neni 11

Anëtarët e Bordit për pjesëmarrje në çdo mbledhje, marrin shpërblim sipas akteve të Këshillit të Ministrave.

Neni 12

Funksionet e Bordit janë:

a) Përgjigjet për zbatimin e politikave shëndetësore dhe udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë në spitalin e Durrësit.

b) Mbikëqyr dhe kontrollon drejtimin e veprimtarisë së spitalit.

c) Është përgjegjës për cilësinë e shërbimit.

d) Propozon Ministrit të Shëndetësisë emërimin dhe shkarkimin e drejtorit, si edhe të nëndrejtorëve të spitalit.

e) Emëron shefat e shërbimeve.

f) Ngarkon drejtorin e spitalit të negociojë me ISKSH/DRSKSH-në Durrës projekt kontratën.

g) Miraton projektin e kontratës që lidhet midis spitalit dhe DRSKSH-së Durrës.

h) Miraton çdo vit raportin vjetor, bilancin, buxhetin vjetor dhe planin perspektiv 3-vjeçar të spitalit të paraqitur nga drejtori i spitalit.

i) Miraton mënyrën e përdorimit të të ardhurave, me nxjerrjen e rezultatit financiar.

j) Kontrollon zbatimin e normave të vendosura dhe të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me numrin e personelit.

k) Miraton çdo ndryshim në strukturën organizative të spitalit, përfshirë rastet kur nevojiten ndryshime në numrin e personelit.

l) Kontrollon e miraton zbatimin e rregullave dhe të procedurave të punësimit.

m) Kontrollon zbatimin e normave të përdorimit të materialeve të buta, të lëndëve djegëse dhe të ushqimit.

n) Harton dhe miraton rregulloren e funksionimit të Bordit.

o) Harton dhe i paraqet për miratim Ministrit të Shëndetësisë rregulloren e funksionimit teknik të spitalit.

p) Raporton te Ministri i Shëndetësisë për veprimtarinë e përgjithshme të spitalit.

Neni 13

Bordi i delegon drejtorit të spitalit përgjegjësitë e menaxhimit të spitalit. Marrëdhëniet midis Bordit dhe drejtorit rregullohen me firmosjen e një kontrate njëvjeçare. Në kontratë vendosen objektiva specifikë, si edhe përcaktohen qartë detyrat e përgjegjësitë e drejtorit.

Neni 14

Detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të spitalit:

a) Drejtori i spitalit përfaqëson spitalin në marrëdhënie me të tretët. Ai është titullari ekzekutiv që drejton, organizon dhe ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi veprimtarinë e spitalit.

b) Raporton e përgjigjet para Bordit për veprimtarinë e spitalit, si të kërkohet nga Bordi.

c) I paraqet Bordit për miratim projektbuxhetin (të hartuar në bashkëpunim me Komisionin Mjekësor të spitalit), raportin vjetor dhe bilancin financiar.

d) I propozon Bordit planin e trajnimeve për lidhjen e kontratës midis këtij të fundit dhe DRSKSH-së Durrës, kontratë kjo që përcakton spitalin dhe DRSKSH-në si palë.

f) Ndjek realizimin e treguesve tekniko-ekonomikë të spitalit.

g) Nënshkruan të gjitha aktet dhe kontratat që angazhojnë spitalin ndaj subjekteve ose personave të tjerë juridikë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Miraton dokumentacionin dhe zbatimin e kontratave të prokurimit publik sipas ligjit në fuqi.

Neni 15

Problemet që nuk janë përcaktuar në këtë statut, rregullohen me vendime të Bordit të spitalit brenda dispozitave ligjore dhe kompetencave që i janë dhënë këtij Bordi.