Rreth nesh

Spitali Rajonal Durrës është një nga spitalet rajonale më të mëdha me nje kapacitet prej 340 shtretërish. Spitali ynë ofron kujdesin mjekësor në Poliklinikën e Specialiteteve, Shërbimin e Pranim – Urgjencës, Laboratorin Klinik – Biokimik dhe Baktereologjik si edhe shërbimin me shtretër ne specialitetet e tij. Shërbimi i Kirurgjisë në Spitalin Rajonal Durrës ka statusin e Klinikës Universitare. Ky spital ka një staf prej 125  mjekësh dhe 236  infermieresh. Duke i dhënë rëndësi të veçantë edukimit në vazhdim personeli ndjek rregullisht aktivitetet mjekësore kombëtare dhe ndërkombetare. Në spitalin rajonal të Durrësit ka në shërbim te pacientëve staf të kualifikuar me studimet në nivelin Master dhe 8 mjekë kane marrë titullin Doktor i Shkencave Mjekësore.

Spitali përballon një numër të lartë pacientësh. Vetëm ne vitin 2013 spitali rajonal i Durrësit numëroi 15.782 pacientë të shtruar dhe janë kryer 75.306 vizita ambulatore. 

Misioni 

Misioni i Spitalit Rajonal Durres është një shërbim cilësor për pacientët e shtruar dhe qytetarët që marrin ndihmën e shpejtë ne ambjentet e tij. Për stafin e tij është i rëndësishëm i gjithë zinxhiri mjekësor me te tre hallkat e tij, ndaj dhe këtu sigurohet një qendër mjekësore për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve te ndryshme. Transparenca me pacientin është ne qendër te vëmendjes sonë, duke e cilësuar profesionin e mjekut si një detyrë humane në shërbim të të sëmurit.  

Vizioni 

Shëndetësi me në qendër pacientin. Kjo është filozofia e punës sonë të përditshme. Ne e kemi kthyer në sfidë profesionale dhe morale, rikthimin e besimit të qytetareve tek bluzat e bardha, transformimin rrënjësor të kujdesit shëndetësor dhe ngjalljen e shpresës tek komuniteti i qytetit të Durrësit, nëpermjet rritjes së cilësisë dhe gamës së shërbimeve shëndetësore. Sfida jonë është mbrojtja e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal dhe krijojimi për profesionistët i kushtev të nevojshme për të shërbyer me cilësi. Në fokusin tonë janë: 

Cilësia në kujdesin mjekësor të specializuar të mbeshtetur në edukimin gjithëpërfshirës

Zhvillimi, vlerësimi dhe perdorimi i teknikave të reja

Përzgjedhja e stafit me vlerat më të mira mjekësore dhe shkencore

Dhënia efikase e kujdesit shëndetësor për çdo pacient

Objektivat 

Kujdesi shëndetësor cilësor me akses të plotë 

Përmirësimi i infrastrukturës spitalore dhe kushteve të punës

Zbatimi dhe unifikimi i protokolleve të mjekimit.

Zbatimi i kodit të etikës dhe deontologjisë

Ngritja e vazhdueshme profesionale e personelit mjekësor

Zgjerimi dhe rritja e gamës së shërbimeve në spital

Përcaktimi i standarteve profesionale për të gjithë personelin

Edukimi i pacientit

Informacion për pacientin

Dokumentacioni i nevojshem per vizitat ne polikliniken e specialiteteve

Te gjithe pacientet që paraqiten tek mjeku specialist për konsulta mjekësore, ekzaminime laboratorike apo imazherike, duhet të jenë patjetër të pajisur me këto dokumente:

1-Rekomandimin e mjekut të familjes 

2-Librezën e shëndetit 

3-Një dokument identifikimi

 Të gjithë pacientët që nuk kanë këto dokumente do të paguajnë tarifën e parashikuar sipas shërbimit që do të marrin ne poliklinikë.

-Dokumentacioni i nevojshëm për hospitalizimin e pacientëve në Spitalin Rajonal Durrës

Pacientët që kanë nevojë për diagnostikim dhe trajtim mjekësor më të specializuar në spital, në momentin e shtrimit duhet të paraqesin:

1-Rekomandimin për shtrim në spital të lëshuar pas vizitës nga mjeku i familjes apo pas konsultës nga mjeku specialist i poliklinikës ose spitalit

2-Ekzaminime laboratorike dhe imazherike të cilat jane realizuar disa ditë para shtrimit ne spital

3-Fotokopje të kartës së identitetit apo pasaportës

4-Fotokopje të librezës së shëndetit

*Nga ky rregull përjashtohen rastet e cilësuara urgjencë mjekësore, kur pacienti shkon direkt në spital dhe ka nevojë për shtrim dhe ndjekje të vazhdueshme nga mjekët.