KODI ETIKËS I SPITALIT RAJONAL DURRËS

2014-2015

MISIONI YNË

• Puna me pasion dhe me profesionalizëm për të arritur rezultate sa më të larta e të qëndrueshme.

• Qenia një institucion shembullor dhe i aftë që të tërheqë, të nxisë dhe të edukojë një staf të besueshëm dhe me aftësitë e duhura, i cili të dijë të dëgjojë, të mësojë dhe të realizojë.

PARIMET QË NA UDHËHEQIN

• Përgjegjshmëri për arritjen e rezultateve në punë.

• Përkushtim dhe pasion për ndershmëri, efektivitet dhe përkushtim.

VLERAT TONA BAZË

• Ndershmëri, integritet, besueshmëri.

• Punë e përbashkët në grup e bazuar në sinqeritet dhe në besim reciprok.

• Dhënie mundësi zhvillimi të tjerëve dhe respektimi i diversiteteve.

• Inkurajimi i marrjes përsipër dhe i përballimit të sfidave dhe përgjegjësive.

Pasqyra përmbledhëse e lëndës

1. Çfarë do të kuptojmë me “etikë” dhe me “sjellje etike” në Spitalin Rajonal Durrës?..

2.Konsiderata të përgjithshme ………………………………..………….…………… 4

3. Rregullat e etikës për anëtarët e Bordit Drejtues ……………….….………………5

3.1. Standardet bazë të sjelljes ………………………………….…………………… 5

3.2. Përdorimi dhe përhapja e informacionit ………………………………………… 6

3.3. Konfliktet e interesave dhe të tjera ……………………………………………… 7

4. Rregullat e etikës për anëtarët e stafit ….………..…..………………..……………… 8

4.1. Standardet bazë të sjelljes …..………………………………………..…………… 8

4.2. Sjellja brenda Spitalit Rajonal Durrës……….………………..……………………. 10

4.3. Përdorimi dhe përhapja e informacionit ……………………………..………….. 14

4.4. Konfliktet e interesave ……………………………………….…..….…………….. 15

4.5. Aktivitetet e jashtme dhe të tjera …………………………..…….……..……….. 17

4.6 Struktura mbikëqyrëse e etikës dhe dispozita të fundit ……………………………  21

Çfarë do të kuptojmë me “etikë” dhe me “sjellje etike” në Spitalin Rajonal Durrës?

Etika ndihmon që ju si anëtar i Bordit Drejtues ose punonjës i Spitalit Rajonal Durrës të përcaktoni rolin dhe përgjegjësitë si në lidhje me vetveten ashtu edhe me kolegët, me të tretët apo me institucionin ku punoni. Në Spitalin Rajonal Durrës, etikë do të thotë që ju të:

  • Përkrahni si formalisht ashtu edhe shpirtërisht frymën që përçojnë parimet, rregullat dhe udhëzimet që zbatohen në Spitalin Rajonal Durrës
  • Nxisni përgjegjshmërinë.
  • Eliminoni mungesën e respektit ndaj të tjerëve, padrejtësitë dhe pandershmëritë.
  • Mos jeni indiferent kur iu duhet të përballeni me probleme etike.
  • Inkurajoni dialogun, diskutimet e hapura dhe pa paragjykime.
  • Punoni me ndershmëri dhe të mësoni nga gabimet.
  • Respektoni standardet bazë të sjelljes si brenda ashtu dhe jashtë mjedisit të Spitalit.
  • Jeni krenar për atë që është arritur dhe se si është arritur.
  • Jeni modest lidhur me atë që mund të përmirësohet dhe mënyrën se si mund të bëhet ajo.
  • Sjellja etike nuk është një proces pasiv, por kërkon që ju si anëtar i Bordit Drejtues apo i stafit të Spitalit Rajonal Durrës të bëni zgjedhje të ndërgjegjshme, të merrni vendime po të tilla, si edhe të keni gjykim të shëndoshë në përputhje me vlerat etike të Spitalit Rajonal Durrës që materializohen në këtë kod. Gjatë punës tuaj ju duhet të mbani në mendje udhëzimet e mëposhtme bazë:
  • Duhet të veproni gjithnjë me ndershmëri, me përkushtim dhe me paanshmëri kur zbatoni detyrat e ngarkuara.
  • Asnjëherë nuk duhet të nxirrni apo të përdorni privatisht ndonjë informacion të klasifikuar, të siguruar nëpërmjet punës tuaj për apo në Spitalin Rajonal Durrës.
  • Duhet të shmangni aktivitetet e jashtme, të cilat në mënyrë të arsyeshme mund të perceptohen si konflikt interesash; dhe
  • Të trajtoni gjithnjë të tjerët në mënyrë profesionale dhe të edukuar.
  • Ndonjëherë ju mund të kuptoni se sjellja e përshtatshme në një situatë të dhënë nuk është e qartë. Ky kod mund t’ju ndihmojë ju lidhur me atë që mund të vendosni të bëni në shumë, por jo në të gjitha situatat. Kur ju dyshoni lidhur me implikimet etike të një veprimi, mund të kërkoni këshilla më parë se të veproni.

Dhe gjithnjë duhet të pyesni veten (lidhur me veprimet tuaja):

  • A janë të ligjshme?
    • A e ndjeni se veproni drejt?
    • A ndikojnë veprimet e mia negativisht apo pozitivisht tek unë apo tek Spitalit Rajonal Durrës?
  • Çfarë do të mendonte një person i arsyeshëm lidhur me veprimet e mia?
  • A do të ndjeheshit ju në pozitë të vështirë nëse të tjerët do të njiheshin me veprimin që po kryeni?
  • A ekziston ndonjë veprim tjetër, i cili nuk nxjerr në pah një konflikt etik?

KONSIDERATA TË PËRGJITHSHME

(A) Ky kod ka si qëllim që të shërbejë si udhëzues për të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues dhe të stafit të Spitalit Rajonal Durrës lidhur me veprimet e përditshme apo me ato vendimmarrëse në përputhje me Misionin, Parimet që na Udhëheqin dhe Vlerat tona Bazë. Ai nuk pretendon se përmban të gjitha përgjigjet lidhur me çdo problem etik që ju mund të përballeni. Kodi nuk është zëvendësues i gjykimit të shëndoshë dhe nuk eliminon apo mënjanon, rregulloret e ndryshme të zbatuara në Spitalin Rajonal Durrës. Ai shërben si një urë lidhëse ndërmjet dëshirave dhe veprimeve të përditshme dhe shpreh ndjenjën e angazhimit kundrejt Misionit të Spitalit Rajonal Durrës. Kodi është, gjithashtu, një mjet për të inkurajuar diskutimet lidhur me etikën dhe për të përmirësuar qëndrimet apo reagimet në punë (ato reagime që lidhen me mëdyshjet dhe paqartësitë etike).

(B) Qëllimet e Spitalit Rajonal Durrës kërkojnë që gjithkush që punon për këtë institucion, të respektojë apo të zbatojë standardet më të larta të etikës. Ju, si anëtarë të Bordit Drejtues ose të stafit, keni përgjegjësi për të kontribuar në menaxhimin e mirë të Spitalit Rajonal Durrës dhe të ndihmoni në mbajtjen lart të emrit të mirë të tij për ndershmëri, korrektesë, drejtësi, integritet dhe paanshmëri.

(C) Spitali Rajonal Durrës do të përpiqet të nxisë dhe të mbajë një mjedis pozitiv pune të tillë që të mbështesë sjelljen etike brenda tij. Drejtuesit e Spitalit Rajonal Durrës do të inkurajojnë në mënyrë aktive dialogun etik, do të ofrojnë drejtim apo këshillim nëpërmjet programeve, materialeve trajnuese apo burimeve të tjera si edhe do të sigurojnë që sistemet, politikat dhe procedurat e brendshme të Spitalit Rajonal Durrës të jenë në përputhje të plotë me qëllimet etike të këtij institucioni të rëndësishëm.

(D) Moszbatimi i rregullave të kërkuara në këtë Kod dhe i rregullave apo i rregulloreve të Spitalit Rajonal Durrës të lidhura me të, përbën arsye për veprime disiplinore nga Spitali Rajonal Durrës. Kur shkeljet konsiderohen serioze mund të shkaktojnë edhe përfundimin e marrëdhënieve me Spitalin Rajonal Durrës. Gjithkush ka të drejtë që të paraqesë këndvështrimin e tij lidhur me shkakun e përfundimit të marrëdhënieve dhe, në rastin e mosqënies dakord, ka të drejtë të apelojë vendimin përkatës.

(E) Kodi zbatohet tek Bordi Drejtues dhe tek i gjithë stafi (Drejtorët dhe personeli) i Spitalit Rajonal Durrës.

RREGULLAT E ETIKËS

PËR

ANËTARËT

E

BORDIT DREJTUES

KREU I

STANDARDET BAZË TË SJELLJES

1. Parimet bazë të sjelljes

1.1 Anëtarët e Bordit Drejtues duhet të ndjekin dhe të respektojnë standardet më të larta të të vepruarit etik. Ata duhet të veprojnë me profesionalizëm dhe të vënë në dispozicion të Spitalit Rajonal Durrës të gjitha njohuritë e tyre, në mënyrë të ndershme, të pavaruar, të paanshme, pa marrë parasysh interesat personalë dhe duke shmangur çdo situatë të prirur për të shkaktuar një konflikt interesash.

1.2 Anëtarët e Bordit Drejtues duhet të trajtojnë me mirësjellje dhe me respekt kolegët e tyre dhe të gjithë stafin e Spitalit Rajonal Durrës. Ata duhet që nëpërmjet sjelljes së tyre të motivojnë punën dhe përkushtimin e stafit për kryerjen sa më mirë të detyrave të ngarkuara.

1.3 Anëtarët e Bordit Drejtues duhet të marrin parasysh karakterin publik të funksionit të tyre dhe të sillen në mënyrë të tillë që të ruajnë dhe të nxisin besimin në publik lidhur me ta. Ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e detyrave dhe të përgjegjësive të tyre, pasi përfaqësojnë organin më të lartë vendimmarrës dhe të Spitalit Rajonal Durrës. Anëtarët e Bordit Drejtues duhet të veprojnë në interesin më të mirë të përgjithshëm të Spitalit Rajonal Durrës në zbatim dhe respekt të ligjit.

KREU II

PËRDORIMI DHE PËRHAPJA E INFORMACIONIT

2. Informacionet jopublike

Nga anëtarët e Bordit Drejtues kërkohet moslejimi i zbulimit ose i publikimit të informacioneve jopublike. Duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që edhe personat, që kanë mundësi njohjeje të informacioneve që ata zotërojnë, të respektojnë detyrimet e përcaktuara në ligj për moszbulimin apo publikimin e informacioneve jopublike.

KREU III

KONFLIKTET E INTERESAVE DHE TË TJERA

3. Konfliktet e interesave

3.1 Anëtarët e Bordit Drejtues duhet të evitojnë çdo situatë që përbën shkak për lindjen e një konflikti interesash. Një konflikt interesash lind atëherë kur anëtarët e Bordit Drejtues kanë interesa personalë, tregtarë ose jo, të cilët mund të ndikojnë ose duket se ndikojnë në kryerjen e paanshme dhe objektive të detyrave të tyre. Me interesa personalë të anëtarëve të Bordit Drejtues do të kuptohet krijimi i një përfitimi të mundshëm (potencial) për veten e tyre, për familjet dhe për të afërmit e tjerë të tyre me lidhje gjinie deri në shkallët e përcaktuara në dispozita të veçanta të këtij Kodi.

3.2 Anëtarët e Bordit Drejtues nuk duhet të përdorin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo, informacionin jopublik që ata disponojnë për shkak të detyrës për përfitime personale, ata vetë apo nëpërmjet palëve të treta.

3.3 Anëtarët e Bordit Drejtues duhet të shmangin çdo lloj pjesëmarrjeje në emërime të strukturave qëndrore partiake gjatë kohës që ushtrojnë detyrat e tyre pranë Spitalit Rajonal Durrës.

3.4 Anëtarët e Bordit Drejtues nuk duhet që, për një periudhë deri në 1 (një) vit pas përfundimit të mandatit të tyre, të publikojnë informacionet jopublike me të cilat ata janë njohur gjatë kryerjes së detyrës së tyre në Spitalit Rajonal Durrës.

RREGULLAT E ETIKËS TË STAFIT

KREU I

STANDARDET BAZË TË SJELLJES

Si anëtarë të stafit të Spitalit Rajonal Durrës  kërkohet që ju të zbatoni standardet më të larta të sjelljes etike në përputhje me vlerat e integritetit, të paanshmërisë dhe të maturisë. Ju duhet të përpiqeni të shmangni qoftë edhe dukjen e të qenurit i pahijshëm në sjelljen tuaj. Gjatë kryerjes së detyrës tuaj, ju jeni të detyruar t’i qëndroni, mbi të gjitha, besnik Spitalit Rajonal Durrës, objektivave dhe qëllimeve të tij.

1. Integriteti

1.1 Kërkohet që ju të veproni me integritet gjatë gjithë veprimtarisë tuaj dhe të shmangni çfarëdolloj sjelljeje që mund të paraqesë ndryshe ju ose Spitalit Rajonal Durrësë. Në Spitalin Rajonal Durrës me integritet do të kuptohet ndershmëri, korrektesë, drejtësi dhe besnikëri kundrejt punës dhe institucionit. Ju duhet t’i ofroni Spitalit Rajonal Durrës një informacion të plotë dhe të saktë lidhur me gjithçka nevojitet për administrimin e çështjeve të stafit. Ju duhet të raportoni në mënyrë të menjëhershme ndryshimet në rrethanat tuaja personale, të cilat mund të prekin nivelin tuaj të treguar të përfitimeve.

1.2 Spitali Rajonal Durrës respekton intimitetin tuaj dhe nuk dëshiron që të ndërhyjë në jetën tuaj personale apo në sjelljet tuaja brenda dhe jashtë vendit të punës. Sidoqoftë, statusi juaj si anëtarë të stafit të Spitalit Rajonal Durrës ka si pasojë disa detyrime lidhur me sjelljen tuaj, si në punë ashtu edhe jashtë saj. Spitali Rajonal Durrës i kushton rëndësi të madhe zbatimit, nga ana juaj, të të gjitha akteve ligjore e nënligjore në fuqi, sikurse edhe shmangies së veprimeve që mund të perceptohen si shpërdorim i prestigjit që ka Spitali Rajonal Durrës dhe stafi i saj; shkujdesjet në këtë drejtim do të reflektohen në marrëdhëniet tuaja me Spitalin Rajonal Durrës.

1.3 Spitali Rajonal Durrës do të jetë, gjithashtu, i vëmendshëm lidhur me sjelljet tuaja të pahijshme, botërisht të shprehura, lidhur me dhunën në familje apo me abuzimin me anëtarët e familjes.

1.4 Spitali Rajonal Durrës nuk ka detyrimin që të hetojë thëniet ose pohimet, se ju keni shkelur ligjet. Por, nëse shqetësimet lidhur me sjelljen tuaj jashtë vendit të punës janë përçuar në vëmendjen e saj nga një palë e tretë, Spitalit Rajonal Durrës do t’ju bëjë me dije (në rastet kur kjo është e mundur) lidhur me problemin në fjalë.

1.5 Nuk është detyrë e Spitalit Rajonal Durrës që të përcaktojë se nëse ju keni shkelur apo jo ligjet në fuqi; kjo i përket gjykatës. Sidoqoftë, nëse Spitalit Rajonal Durrës merr një urdhër për të përmbushur një detyrim ligjor nga gjykata apo nga çdo autoritet tjetër, që ka forcën ekzekutive të një detyrimi lidhur me mbajtjen e një pjese të pagës së një anëtari të stafit të saj, ajo do ta zbatojë atë.

2. Paanshmëria

Ju si anëtar i stafit të Spitalit Rajonal Durrës duhet të veproni me paanshmëri. Ju duhet të tregoni kujdes që shprehja e pikëpamjeve dhe e bindjeve tuaja personale, të mos kompromentojë apo të duket se kompromenton rezultatet e detyrave të ngarkuara apo interesat e Spitalit Rajonal Durrës. Sjellja juaj zyrtare duhet të karakterizohet gjithnjë nga objektiviteti dhe profesionalizmi. Ju nuk duhet të lejoni që marrëdhëniet apo konsideratat personale, përshirë këtu edhe paragjykimet, njëanshmëritë apo favoritizmat, të ndikojnë rezultatet e detyrave tuaja. Njëlloj duhet t’i shmangeni edhe situatave që krijojnë konflikte interesash.

3. Maturia

Ju si anëtar i stafit të Spitalit Rajonal Durrës duhet të tregoni maturinë më të madhe gjatë veprimeve tuaja, të keni takt dhe të jeni i rezervuar në deklarimet që bëni në përputhje me statusin tuaj në Spitalin Rajonal Durrës. Ju duhet t’i shmangeni pjesëmarrjes në çdo aktivitet që është në kundërshtim me interesat e Spitalit Rajonal Durrës apo që mund të dëmtojë reputacionin e saj. Ju duhet të respektoni dhe të ruani sekretin e informacionit të mësuar apo të vënë në dispozicion tek ju, si pasojë e pozicionit në Spitalin Rajonal Durrës.

KREU II

SJELLJA BRENDA SPITALIT RAJONAL DURRËS

Vlerat bazë të paanshmërisë, të integritetit dhe të maturisë duhet të udhëheqin të gjitha aspektet e sjelljes suaj gjatë punës.

4. Detyra për të qenë besnikë ndaj institucionit

Ju duhet të respektoni pozicionin tuaj dhe të jeni i pavarur, duke mos pranuar asnjë udhëzim lidhur me performancën e detyrave tuaja nga asnjë burim tjetër jashtë Spitalit Rajonal Durrës. Duke pranuar punësimin në Spitalin Rajonal Durrës ju, sikurse çdo anëtar tjetër i stafit, keni premtuar që të hiqni dorë nga detyra juaj vetëm nën autoritetin e Drejtuesve dhe të Bordit Drejtues të Spitalit Rajonal Durrës.

5. Paraqitja në punë, mirësjellja dhe respekti

5.1 Paraqitja juaj në punë duhet të jetë përshtatshme dhe e tillë që të shprehë:

a) kujdesin dhe seriozitetin e vazhdueshëm për anën tuaj pamore;

b) nivelin e domosdoshëm të pastërtisë tuaj personale;

c) plotësimin e kërkesave të domosdoshme të veshjes tuaj në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës sipas rregullave në fuqi;

d) vëmendje në mënyrën e komunikimit dhe të qëndrimit në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës.

5.2 Ju duhet t’i trajtoni kolegët tuaj (qofshin këta eprorë, të barabartë apo vartësit tuaj) me mirësjellje dhe respekt, dhe nuk mund t’i ngacmoni ata (fizikisht apo me fjalë). Gjatë punës, ju duhet që gjithnjë të shmangni edhe ato sjellje, që megjithëse nuk arrijnë në nivelin e ngacmimit apo të abuzimit, mund të krijojnë një atmosferë jomiqësore apo frike.

5.3 Do të konsiderohen si ngacmime dhe do të trajtohen si të tilla të gjitha ato fjalë apo sjellje që ndërhyjnë në mënyrë të paarsyeshme në punën e gjithkujt apo që krijojnë një mjedis pune frikësues (kërcënues), jomiqësor dhe fyes. Një vend pune i hapur dhe i besueshëm është thelbësor për efektivitetin e punës tuaj në Spitalin Rajonal Durrës si edhe për të ruajtur moralin e stafit.

5.4 Do të konsiderohen si ngacmime seksuale dhe do të trajtohen si të tilla të gjitha përpjekjet (avancimet) e padëshiruara seksuale, kërkesat për favore seksuale, ose të tjera sjellje (fizike ose me fjalë) me natyrë seksuale të cilat ndërhyjnë në mënyrë të paarsyeshme me punën, kushtëzojnë punësimin apo krijojnë një mjedis pune fyes, jomiqësor apo frikësues.

6. Diversiteti

Si pasojë e karakterit demokratik që ka Spitali Rajonal Durrës dhe e vlerës që kjo e fundit i jep diversitetit, duhet që ju të veproni me tolerancë, me ndjeshmëri, me respekt dhe me paanësi kundrejt kulturës dhe formimit të personave të tjerë, që nuk i kanë ato të njëjta me ju. Nga ana tjetër, Spitali Rajonal Durrës reagon ndaj çdo sjelljeje abuzive, e cila do të konsiderohet fyese për ambientin apo për persona konkretë.

7. Përgjegjësia

Ju duhet që gjithmonë të mos dilni jashtë autoritetit që ju jep funksioni. Ju mbeteni përgjegjës për detyra që i delegoni të tjerëve dhe pritet që ju të ushtroni mbikëqyrje dhe kontroll të përshtashëm mbi gjithçka që lidhet me detyrën tuaj.

8. Përdorimi i pronave, i pajisjeve dhe i burimeve të Spitalit Rajonal Durrës

8.1 Gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës, ju duhet të mbroni dhe të ruani pronën e Spitalit Rajonal Durrës. Nuk lejohet që ju, drejtpërsëdrejti ose jodrejtpërsëdrejti, të përdorni apo të lejoni që të përdoret prona, që Spitalit Rajonal Durrës zotëron ose ka në përdorim, për qëllime të tjera, përveçse për kryerjen e punës. Me pronë të Spitalit Rajonal Durrës, kuptohet çdo pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme që ka në përdorim, në gëzim dhe në disponim Spitalit Rajonal Durrës.

8.2 Ju keni përgjegjësinë që të siguroheni se burimet e Spitalit Rajonal Durrës po përdoren për realizimin e detyrave zyrtare të saj. Gjithashtu, në funksion të përdorimit sa më efikas të burimeve që ju janë vënë në dispozicion, ju duhet që t’i kushtoni kohën tuaj të punës vetëm aktiviteteve zyrtare të Spitalit Rajonal Durrës.

9. Zgjidhja e problemeve dhe e konflikteve personale

9.1 Drejtuesit përkatës, kanë përgjegjësi që të jenë të disponueshëm për anëtarët e stafit, të cilët duan të ngrenë çështje apo shqetësime në konfidencë (vetëm për vetëm) dhe t’i trajtojnë me ndjeshmëri dhe paanshmëri situata të tilla.

9.2 Drejtuesit përkatës duhet të krijojnë një atmosferë, ku anëtarët e stafit të ndjehen të lirë të përdorin (pa patur frikë për ndëshkime), rrugët institucionale ekzistuese për zgjidhjen e problemeve apo të konflikteve të çdo lloji, si edhe të shprehin shqetësime lidhur me situatat problematike apo konfliktuale ku ndodhen ose ku mund të ndodhen, jo vetëm lidhur me marrëdhëniet e tyre brenda Spitalit Rajonal Durrës.

10. Hakmarrja

10.1 Dëmtimi që pësohet si rezultat i akuzave të pabazuara dhe joserioze dekurajon stafin lidhur me sjelljen dhe me zbatimin e standardeve të larta etike. Si pasojë, Spitali Rajonal Durrës mbron stafin e tij në rastet kur ata bëhen objekt i akuzave të pabaza nga çdokush që mbetet i pakënaqur si pasojë e kryerjes së rregullt të detyrës prej tyre.

10.2 Liria dhe përgjegjësia për të ngritur probleme, çështje apo shqetësime është thelbësore për të fuqizuar stafin dhe për të ruajtur integritetin siinstitucion. Si pasojë, Spitali Rajonal Durrës do të mbrojë stafin nga hakmarrjet e çdo lloji përfshirë edhe ato të ardhura si pasojë e qëndrimeve të mbajtura në rastin e ngritjes së problemeve dhe të shqetësimeve të ndryshme. Kjo përgjegjësi për të mbrojtur anëtarët e stafit brenda tij zbatohet lidhur me persona, të cilët cënojnë ose aplikojnë hakmarrjen kundër stafit të tij gjatë zbatimit të detyrave. Ankesat për hakmarrje trajtohen seriozisht dhe sqarohen menjëherë.

11. Intimiteti

11.1 Spitali Rajonal Durrës respekton intimitetin e stafit. Informacionet konfidenciale (përfshirë dosjet personale, shënimet mjekësore, informacione lidhur me hetime të ndryshme, si dhe masat disiplinore), nuk do të lejohet që të keqpërdoren, nuk do të zbulohen dhe do të lejohet që të njihen vetëm nga persona të autorizuar. Spitali Rajonal Durrës ruan konfidencialitetin e çdo informacioni ne perputhje me aktet perkatese nenligjore te nxjerra prej tij.

11.2 Spitali Rajonal Durrës respekton intimitetin tuaj në punë dhe nuk do të kërkojë që të ndryshojë sjelljet tuaja personale deri kur këto sjellje nuk do të dëmtojnë rezultatet e punës, apo kur do të jenë në kundërshtim me “Rregullat mbi marrëdhëniet e punës të personelit në Spitalin Rajonal Durrës”.

12. Ekuilibri Punë-Familje

Spitalit Rajonal Durrës respekton ekuilibrin punë-familje si një sfidë për arritjen e objektivave të paracaktuar dhe çmon përpjekjet dhe pasionin tuaj për ruajtjen e këtyre raporteve. Spitali Rajonal Durrës do të përpiqet që të krijojë një mjedis të brendshëm sa më të mirë që të jetë e mundur, në mënyrë që t’ju mbështesë ju për të arritur një ekuilibër sa më të efektshëm ndërmjet punës, jetës familjare dhe asaj personale.

KREU III

PËRDORIMI DHE PËRHAPJA E INFORMACIONIT

13. Përdorimi dhe përhapja e informacioneve të klasifikuara

13.1 Ju keni përgjegjësi të mbroni sigurinë e çdo informacioni të klasifikuar, të siguruar në Spitalit Rajonal Durrës apo të prodhuar prej tij. Për këtë arsye, që të shmangni çdo përhapje të paautorizuar të informacionit, ju duhet të jeni të kujdesshëm në mënyrën se si e përdorni atë.

13.2 Nuk lejohet marrja dhe dhënia e informacionit, për përfitime të ndryshme ose kur përbën shkak për lindjen e konfliktit të interesave gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës.

13.3 Ju, gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës nuk duhet që në mënyrë të paautorizuar me ligj ose sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Spitalit Rajonal Durrës  është palë:

a) të lejoni zbulimin ose publikimin e informacioneve jopublike, të cilat ju i keni përfituar nga kryerja e detyrave tuaja;

b) të përdorni apo të lejoni që ky informacion të përdoret për përfitime personale.

14. Marrëdhëniet me median, deklarimet publike dhe publikimet

14.1 Nëse nuk jeni të autorizuar ju nuk duhet që të jepni, të publikoni apo të nxirrni për përdorim publik materiale që kanë të bëjnë me politikat ose me aktivitetet e Spitalit Rajonal Durrës apo me çfarëdolloj çështjeje tjetër që lidhet me të dhe që nuk klasifikohen si informacione për publikim. Ndërkohë që ju duhet të shmangni çfarëdolloj sjelljeje në publik që mund të interpretohet apo të lidhet, në ndonjë mënyrë, me pozicionin tuaj në Spitalin Rajonal Durrës.

KREU IV

KONFLIKTET E INTERESAVE

15. Konfliktet e interesave

15.1 Me konflikt interesi, kuptohet konflikti ndërmjet interesit privat dhe interesit publik të stafit gjatë marrëdhënieve juridike të punës në Spitalin Rajonal Durrës.

15.2 Ju duhet të veproni gjithnjë në interes të Spitalit Rajonal Durrës dhe në mbështetje të Misionit të tij. Si të tillë ju duhet të shmangni konfliktet – apo qoftë dhe shfaqjen e tyre – ndërmjet interesave dhe përgjegjësive tuaja të ardhura si pasojë e qënies staf i Spitalit Rajonal Durrës.

15.3 Konflikti i interesit, kur ekziston, mund të rezultojë i drejtpërdrejtë ose jo i drejtpërdrejtë. Konflikti i interesit gjatë marrëdhënieve tuaja të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës, është konflikti që kërcënon interesin publik nëpërmjet zëvendësimit të tij nga interesi privat.

15.4 Konflikte potenciale interesash ka shumë. Pa paragjykuar disiplinën e kërkuar në rregullat e zbatueshëm tek stafi i Spitalit Rajonal Durrës, disa nga tipat e interesave që krijojnë konflikte mund të jenë ata të paraqitur në vijim:

1) Çdo lloj interesi tregtar ose jotregtar, i deklaruar nga ju në Spitalin Rajonal Durrës.

2) Interesa të tjerë të përcaktuar me akte ligjore ose nënligjore të dalë në zbatim të ligjit.

3) Interesa tregtar ose jotregtar që ju keni në:

a- subjekte juridike fitimprurëse ose jofitimprurëse, në të cilat ju shërbeni si konsulent, si ortak, si përfaqësues apo agjent etj.;

b- subjekte juridike me të cilat ju negocioni ose keni rënë dakord për një punësim apo angazhim kontraktor ose jokontraktor të ardhshëm tuajin.

15.5 Gjatë punësimit në Spitalin Rajonal Durrës, ju mund t’ju lindin apo të përfitoni të drejta pasurore ose interesa, që mund t’ju pengojnë apo që mund të bëhen shkak për lindjen e konflikteve në zbatimin e detyrës tuaj. Në rast se këta interesa klasifikohen si të tillë dhe ju kërkohet që të hiqni dorë prej tyre, ju duhet t’i bindeni kësaj kërkese. Në rast të kundërt, konflikti i interesave zgjidhet nëpërmjet transferimit në një vend tjetër pune ose nëpërmjet ndërprerjes së marrëdhënieve juridike të punës.

15.6 Në çdo rast që krijohen rrethana në të cilat, ushtrimi i detyrës bëhet i pamundur për shkak të konfliktit të interesave për ju vetë apo për personat e lidhur me ju, ju duhet të informoni me shkrim eprorët tuaj dhe Sektorin e Personelit.

15.7 Verifikimi i situatave të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si konflikt interesash sipas përcaktimit të pikës “15.6” bëhet nga një komision i caktuar nga Drejtori. Ky komision përpilon raportin për kualifikimin e rrethanave përkatëse (nëse përbëjnë ose jo konflikt interesash) dhe e paraqit më pas tek Drejtori.

15.8 Ju duhet të shmangni jo vetëm çdo rrethanë që krijon konflikt interesash por edhe ato që mund të krijojnë dukjen e ndonjë konflikti të këtij lloji. Nëse shfaqen situata që mund të sjellin dukjen e një konflikti të tillë, ju duhet të bëni me dije në mënyrë të menjëhershme dhe të plotë eprorët, si dhe t’u kërkoni mendim lidhur me mënjanimin e vetvetes prej tyre.

15.9 Nëse ju jeni i aktivizuar në aktivitetet prokuruese të Spitalit Rajonal Durrës dhe nëse ju keni planifikuar apo keni ndërmend të planifikoni, ndonjë interes të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të jashtëm, financiar apo të një natyre tjetër, i cili është apo mund të duket si konflikt interesash me ato të Spitalit Rajonal Durrës, ju duhet të deklaroni këtë situatë tek eprorët dhe të kërkoni mendimin e tyre, nëse duhet të tërhiqeni apo jo nga pjesëmarrja në aktivitetin prokurues.

16. Detyrimi për të deklaruar informacione mbi veten

16.1 Ju duhet të tregoni çdo interes biznesor apo financiar që keni ju apo një anëtar i afërt i familjes suaj (sipas përcaktimit në pikën 22.1), i cili mund të jetë në konflikt të dukshëm me detyrat që ju keni në Spitalin Rajonal Durrës. Ju duhet të deklaroni gjithçka tek eprori juaj ose tek personi i caktuar zyrtarisht për probleme të tilla. Eprorët ose zyrtarët përkatës duhet të bëjnë një material të shkruar mbi këto informacione për të vërtetuar deklarimin e bërë nga punonjësi në fjalë.

16.2 Nëse ju jeni të pasigurtë lidhur me faktin se sa përputhet informacioni i deklaruar prej jush me atë që ju detyroheni të deklaroni, duhet të kërkoni shpjegime të mëtejshme në Sektorin e Personelit. Spitali Rajonal Durrës, mund të kërkojë që disa kategori të stafit të tij, të deklarojnë në mënyrë periodike dhe konfidenciale (të rezervuar) në dosjen e tyre të gjitha aktivitetet dhe interesat financiarë sipas një forme (modeli) të miratuar paraprakisht. Këto deklarime analizohen nga një person i ngarkuar nga Drejtori.

KREU V

AKTIVITETET E JASHTME DHE TË TJERA

18. Punësimi jashtë Spitalit Rajonal Durrës

18.1 Ju nuk mund të përfundoni marrëdhënie punësimi tjetër, pavarësisht nëse është me shpërblim ose jo, pa miratimin paraprak, me shkrim, të Drejtorit të Spitalit Rajonal Durrës.

18.2 Me miratim të Drejtorit të Spitalit Rajonal Durrës, ju gjatë marrëdhënieve të punësimit, mund t’ju lejohet të angazhoheni në veprimtari jashtë Spitalit Rajonal Durrës, me shpërblim apo pa shpërblim, në rastet:

1) Kur emëroheni si anëtar në organet kolegjale të institucioneve shtetërore ose në organizma të tjerë publikë.

2) Kur angazhoheni për mbajtje fjalimesh, për dhënie leksionesh, për mësimdhënie apo për shkrime që kanë lidhje me punën tuaj. Mësimdhënia, leksionet, fjalimet apo shkrimet, kanë lidhje me punën (shërbimin) tuaj atëherë kur:

a) këto veprimtari kryhen si pjesë e veprimtarisë suaj;

b) ftesa për t’u marrë me këto veprimtari, ju bëhet, kryesisht e në rradhë të parë, për shkak të pozicionit në Spitalit Rajonal Durrës;

c) ftesa ose oferta për shpërblim bëhet nga personi apo subjekti interesi i të cilit lidhet me punen tuaj;

d) informacioni që ju jepni, është kryesisht jopublik;

e) subjekti që trajtohet lidhet ngushtë me punën që ju kryeni aktualisht ose keni kryer deri një vit më parë;

f) subjekti që trajtohet lidhet ngushtë me ndonjë program apo veprimtari të shpallur ose në vazhdim të Spitalit Rajonal Durrës.

19. Aktivitete të tjera të jashtme

19.1 Ju duhet të kërkoni lejen e Spitalit Rajonal Durrës për të patur një punësim, aktivitet biznesi apo profesion të lirë jashtë saj. Spitali Rajonal Durrës nuk do të kundërshtojë një aktivitet të tillë i cili:

a) nuk ndërhyn në aftësinë tuaj për të bërë në rregull punën në Spitalin Rajonal Durrës;

b) është në përputhje me rregullat e Spitalit Rajonal Durrës lidhur me sjelljen e stafit të saj;

c) nuk krijon konflikt interesash.

19.2 Kërkesa juaj për të ushtruar një aktivitet të jashtëm duhet të jetë e qartë dhe duhet t’i dërgohet Sektorit të Personelit së bashku me miratimin e eprorit tuaj. Në disa raste, veçanërisht për aktivitete që lidhen me fjalime apo me publikime jashtë Spitalit Rajonal Durrës, kërkesa juaj ka nevojë që të bëhet e qartë edhe për Drejtorin.

19.3 Ju mund të merrni pjesë në aktivitete vullnetarë të një bashkësie të caktuar apo në të tilla me karakter bamirës pa patur një pëlqim paraprak. Sidoqoftë, nëse ju keni dyshime që një aktivitet ku ju keni ndërmend të merrni pjesë mund të jetë në kundërshtim me kriteret e sipërpërmendura, ju duhet të konsultoheni në njësinë përkatëse që monitoron zbatimin e marrëdhënieve etike para se të merrni pjesë në të.

20. Aktivitetet politike

Ju duhet të kërkoni leje për aktivitete politike, për dhënie të kontributeve politike, me përjashtim të aktiviteteve të tilla sikurse janë pjesëmarrja apo votimi. Nuk lejohet që ju të merrni pjesë në organizimin apo udhëheqjen e aktiviteve politike. Ju nuk duhet të konkurroni për poste publike të zgjedhur apo politike duke njoftuar Spitalin Rajonal Durrës. Nëse ju pranoni një emërim politik në strukturat qëndrore partiake ju duhet të paraqisni dorëheqjen si anëtar i stafit të Spitalit Rajonal Durrës.

21. Dhuratat, argëtimet, shpërblimet për punonjësit

21.1 Gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës, nuk lejohet që ju të kërkoni ose të pranoni, drejtpërsëdrejti ose jodrejtpërsëdrejti, dhurata, shpërblime, favore, argëtime, kredi, hua ose çdo gjë tjetër, që ka vlerë monetare, nga persona ose subjekte që :

a) kanë ose që kërkojnë të sigurojnë përfitime në procedurat administrative, në marrëdhëniet kontraktore ose në çdo marrëdhënie tjetër financiare me Spitalit Rajonal Durrës;

b) kryejnë transaksione ose veprimtari të cilat mbikëqyren nga Spitali Rajonal Durrës;

c) kanë interesa që preken në mënyrë thelbësore nga kryerja ose nga moskryerja e detyrave zyrtare të punonjësit të Spitalit Rajonal Durrës.

21.2 Gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës, ju mund të pranoni artikuj ushqimorë në vlerë të vogël në raste jo të shpeshta. Përfitime të tilla lejohen edhe kur ofrohen në mbledhje, dreka ose darka, si pjesë e programit të veprimtarive të organizuara nga Spitali Rajonal Durrës.

21.3 Ju nuk duhet asnjëherë që të kërkoni dhurata ose favore që kanë lidhje me detyrat tuaja në Spitalin Rajonal Durrës. Si rregull, dhuratat që ofrohen, nuk duhen pranuar. Mund të pranohet një dhuratë e vogël simbolike, reklamuese ose inkurajuese. Por vlera e saj nuk duhet të jetë qartësisht më tepër se dhjetë mijë lekë. Në të tilla raste ju mund ta mbani dhe të mos e deklaroni atë. Nëse vlera e dhuratës mund të jetë më e madhe se dhjetë mijë lekë, ajo duhet të deklarohet së bashku me vlerën, e përafërt të saj. Dhurata mund të kthehet mbrapsht për një vlerësim nëse ka pikëpyetje lidhur me vlerën e saj.

21.4 Gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalit Rajonal Durrës, nuk lejohet që ju të kërkoni kontribute nga punonjësit e tjerë për të bërë dhuratë për një epror, dhënien e donacionit për këtë të fundit ose të pranoni dhuratë nga punonjësi me pagë më të vogël.

21.5 Lejohet që ju të merrni dhurata spontane të dhëna me dëshirë për rastet e veçanta si martesë, ditëlindje, dalje në pension, përfundim mandati ose raste ngushëllimi për vdekje apo për sëmundje. Këto lloj dhuratash si rregull, kufizohen vetëm në rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve. Nuk lejohet që eprorët të kërkojnë kontribute nga punonjësit që janë nën mbikëqyrjen e tyre për çfarëdolloj rrethanash.

22. Nepotizmi

22.1 Punonjësit, të cilët ata vetë ose bashkёshortёt e tyre janë gjini e afёrt (tё paralindur, tё paslindur, vёllezёr, motra, ungjёr, emta, nipёr, mbesa, fёmijё tё vёllezёrve a tё motrave) ose krushqi e afёrt (vjehёrr, dhёndёr, nuse, kunat, kunatё, thjeshtёr, njerk e njerkё), të cilët punojnë në Spitalin Rajonal Durrës duhet të deklarojnë personat me të cilët kanë lidhje në raportet e lartpërmendura dhe aktualisht janë të punësuar në Spitalin Rajonal Durrës.

22.2 Personat të cilët punojnë në Spitalin Rajonal Durrës në pozicione të cilat nga ndërveprimi në kryerjen e detyrave funksionale mund të lindin konflikte interesash duhet ti deklarojnë.

22.3 Ju, gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës, nuk lejohet të rekomandoni apo të ndikoni në procedurat e rekrutimit (punësimit) të stafit në Spitalin Rajonal Durrës, kur vendi i punës kushtëzohet nga lidhjet e gjakut si më sipër.

22.4 Gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës, nuk lejohet që ju të merrrni pjesë ose të influenconi në procesin e ngritjes në përgjegjësi dhe të ngritjes së pagës së punonjësit me të cilin keni lidhje si më sipër, në procesin e dhënies së shpërblimeve, dhënies së të drejtave për kualifikime e specializime apo të dhënies së çdo përfitimi tjetër.

22.5 Ju jeni i detyruar të njoftoni Drejtorin e Spitalit Rajonal Durrës, për rastet kur keni dijeni se në Spitalin Rajonal Durrës punojnë persona, me të cilët ju keni lidhje sipas përcaktimeve të mësipërme. Në këtë rast, Drejtori mund të vendosë për transferimin e njërit prej tyre.

22.6 Nëse gjatë periudhës së punësimit në Spitalin Rajonal Durrës krijohen lidhje gjinie ose krushqie si nё raportet e pёrcaktuara nё pikёn 1 tё kёtij neni, ato i bëhen me dije Drejtorit i cili mund të vendosë për transferimin ose jo të njërit prej tyre.

23. Zbatimi i orarit të punës

23.1 Ju duhet që, gjatë marrëdhënieve të punësimit në Spitalin Rajonal Durrës, të përdorni në mënyrë efektive kohën e punës për punën tuaj. Koha e punës nuk duhet përdorur për asnjë qëllim tjetër, përveçse në rastet kur përdorimi i saj për qëllime të tjera është i autorizuar në përputhje me ligjet dhe me rregullat në fuqi.

23.2 Juve nuk duhet të kërkoni, të inkurajoni apo të lejoni që vartësit tuaj të përdorin kohën e punës për qëllime të tjera, përveç atyre që kërkon detyra e vendit tuaj të punës dhe për të cilat keni një autorizim sipas ligjeve dhe rregullave në fuqi.

23.3 Ju nuk duhet të përdorni postin tuaj për përfitime private, për mbështetjen e ndonjë produkti, shërbimi ose institucioni financiar privat, të miqve apo të personave të tjerë të lidhur në marrëdhënie gjaku deri në shkallën e dytë. Ju, gjithashtu, nuk duhet të përdorni postin tuaj për mbështetjen e personave me të cilët jeni lidhur privatisht (përfshirë këtu edhe subjektet jofitimprurëse) dhe ku ju bëni pjesë si edhe personat me të cilët ju keni ose kërkoni të krijoni marrëdhënie tregtare.

23.4 Nuk lejohet që ju të përdorni apo të lejoni përdorimin e pozicionit, të titullit tuaj zyrtar apo të çdo lloj autoriteti tjetër që lidhet me funksionin tuaj, në mënyrë të tillë që të nxisni ose të shtrëngoni ndonjë person tjetër, përfshirë edhe vartësit, që t’ju bëjnë ndonjë favor financiar (ose të ndonji lloji tjetër), juve ose miqve e personave me të cilët keni lidhje gjaku deri në shkallën e dytë, apo atyre me të cilët ju jeni lidhur jo zyrtarisht.

23.5 Nuk lejohet që ju të përdorni postin tuaj zyrtar për të penguar veprimtarinë e të tretëve ose për t’i dëmtuar ata për arsye personale.

24. Saktësia e llogarive dhe e regjistrimeve

24.1 Të gjitha llojet e llogarive kontabile të Spitalit Rajonal Durrës duhet të tregojnë me vërtetësi informacionin që ato pretendojnë se përfaqësojnë. Të gjitha regjistrimet e këtij lloji duhet të jenë konform rregullave të Spitalit Rajonal Durrës dhe parimeve të kontabilitetit.

24.2 Personat e ngarkuar, janë përgjegjës për administrimin e të dhënave dhe korrigjimet e tyre si edhe për përdorimin e mjeteve dhe sistemeve të informacionit të Spitalit Rajonal Durrës në përputhje të plotë me operacionet dhe me veprimtarinë e tij.

25. Prokurimet

Metodat e brendshme të prokurimit të përdorura nga Spitali Rajonal Durrës gjatë realizimit të projekteve të tij duhet të jenë të ndershme dhe transparente. Lidhur me to Spitali Rajonal Durrës i përmbahet zbatimit të politikave dhe udhëzimeve që kanë lidhje me procedurat e prokurimit. Spitali Rajonal Durrës ka përgjegjësinë që të sigurohet që realizimi i procedurave lidhur me prokurimet të mos rezultojë si favorizim.

26. Angazhim ndaj mjedisit

Ju duhet ta kryeni punën tuaj në mënyrë të përgjegjshme dhe në përputhje me rregullat dhe dhe ligjet e zbatuara të mjedisit. Spitali Rajonal Durrës i kushton vëmendje të veçantë ndikimit që kanë veprimet e tij në ruajtjen e mjedisit.

Spitali Rajonal Durrës ndjen përgjegjësinë që të ngrejë çështje dhe shqetësime lidhur me kushtet që konsiderohen të dëmshme për shëndetin dhe për sigurinë njerëzore apo për mjedisin.

27. Punësimi dhe kufizimet pas largimit nga Spitali Rajonal Durrës

27.1 Nëse ju jeni larguar apo jeni duke u larguar nga punësimi juaj në Spitalin Rajonal Durrës duhet që të respektoni rregullat përkatëse lidhur me përdorimin dhe me ruajtjen e informacionit. Në veçanti, nëse ju jeni duke u larguar nga Spitali Rajonal Durrës nuk duhet të përdorni apo të zbuloni informacione të rezervuara për të cilat ju jeni bërë me dije për shkak të postit që keni patur në Spitalin Rajonal Durrës si edhe nuk duhet të kontaktoni ish-kolegët tuaj me qëllim që të jepni informacione të rezervuara. Ju e keni të ndaluar që t’ju jepni informacione të rezervuara ish-kolegëve tuaj, të cilët që nga momenti i largimit të tyre nga Spitali Rajonal Durrës duhet të trajtohen si çdo palë tjetër e tretë.

28. Deklarimi i njohjes së detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i rregullave

Duhet që ju, çdo fillim viti, të plotësoni një deklaratë ku të shpreheni se i njihni dhe i zbatoni detyrimet e përcaktuara në këtë kod, si dhe detyrimet e tjera që përcaktohen në “Rregullat mbi marrëdhëniet e punës të personelit në Spitalin Rajonal Durrës“.

KREU  VI

STRUKTURA MBIKQYRËSE E ETIKËS DHE DISPOZITA TË FUNDIT

29. Struktura Mbikqyrëse e Etikës

29.1 Me autorizim të Drejtorit, përcaktohet Struktura Mbikqyrëse e Etikës, në përbërje të së cilës duhet të ketë 3 anëtar.

29.2 Struktura Mbikqyrëse e Etikës, rast pas rasti, por dhe në mënyrë periodike, i raporton Drejtorit, rastet e konstatuara në shkelje të Kodit të Etikës.

29.3 Struktura Mbikqyrëse e Etikës, në bazë të raportimeve, por dhe kryesisht, fillon procedurën disiplinore, në përputhje me legjislacionin dhe aktet nënligjore në fuqi.

29.4 Çdo punonjës i institucionit, është i detyruar të bashkëpunojë dhe të raportojë pranë kësaj Strukture.

29.5 Për çdo rast të raportuar, apo të filluar kryesisht, Struktura Mbikqyrëse e Etikës duhet të përpilojë një raport të posaçëm të cilin ia paraqet Drejtorit në formën e njoftimit apo të propozimit për marrje masë disiplinore.

30.Dispozita zbatuese

30.1 Çdo veprim i ndërmarrë nga punonjësi, edhe nëse nuk parashikohet shprehimishtnga dispozitat e këtij Kodi, por ka efekt të njëjtë apo të ngjashëm, konsiderohet shkelje e këtij Kodi.

30.2 Shkelja e rregullave të përcaktuara në këtë Kod, në zbatim të plotë dhe të dispozitave të përcaktuara në ligjin për Statusin e Nëpunësit Civil, Kodin e Punës, Rregulloren e Brendshme të institucionit, përbën shkak për fillimin e procedimitdisiplinor.

31. Publikimi dhe hyrja në fuqi

Kodi i Etikës i Spitalit Rajonal Durrës hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit të tij në websitin Zyrtar të Spitalit Rajonal Durrës.