LIGJ

Nr. 10 279, datë 20.5.2010 PËR KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I

REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, përcaktimi i procedurave dhe i afateve të ankimit ndaj akteve të organeve të administratës publike, që vendosin dënime administrative, si dhe i procedurave të ekzekutimit të sanksioneve administrative.

Neni 2

Fusha e zbatimit të ligjit

1. Ky ligj zbatohet për të gjitha vendimet e organeve të administratës publike, që parashikojnë dënime administrative e që krijojnë pasoja juridike në raste individuale.

2. Vendimi i administratës publike, që parashikon dënim administrativ, këtu dhe në vijim do të quhet vendim për kundërvajtjen administrative.

Neni 3

Zbatimi i procedurave administrative

Procedurat e parashikuara në dispozitat e veçanta të këtij ligji, për vënien në ekzekutim të vendimeve për kundërvajtjen administrative, zbatohen, rast pas rasti, në përputhje me natyrën e organeve të administratës publike që i kanë nxjerrë dhe me llojin e dënimit të parashikuar në akt.

Neni 4

Kundërvajtja administrative

Kundërvajtje administrative është shkelja me faj e dispozitave ligjore ose nënligjore, të kryera me veprim ose mosveprim dhe për të cilat ligji parashikon dënim administrativ.

Neni 5

Përgjegjësia në rastin e kryerjes së një kundërvajtjeje administrative

Për kryerjen e një kundërvajtjeje administrative kanë përgjegjësi:

a) personat që kanë zotësi të plotë për të vepruar;

b) personat juridikë.

Neni 6

Shkeljet që përbëjnë kundërvajtje administrative

Shkeljet që përbëjnë kundërvajtje administrative parashikohen:

a) me ligj;

b) me akte të këshillit bashkiak apo të këshillit të komunës, për shkelje që nuk janë parashikuar si të tilla në ligje të veçanta, që kanë lidhje me fushat e veprimtarisë së tyre në njësitë territoriale përkatëse, ku, sipas ligjit, ushtrojnë funksionet e veta.

Neni 7

Kompetenca për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjes

1. Kompetenca për konstatimin e kundërvajtjes, me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe, i takon organit administrativ, përgjegjës për zbatimin e ligjit të posaçëm.

2. Kur ligji i posaçëm parashikon një organ administrativ, që mbikëqyr zbatimin e tij e që ka vetëm të drejta për të rekomanduar masa apo dënime administrative, atëherë ai ia përcjell, pa vonesë, rastin organit administrativ, që ka të drejtën e shqyrtimit të kundërvajtjes dhe të nxjerrjes së vendimit përkatës për kundërvajtjen administrative.

3. Kompetenca për shqyrtimin e kundërvajtjes i takon:

a) organit administrativ apo titullarit të organit administrativ, sipas dispozitave të parashikuara nga ligji i posaçëm;

b) gjykatës, kur parashikohet nga ligji i posaçëm apo në rastet kur ligji parashikon dënim me heqje lirie;

c) titullarit të organit administrativ, që merret me zbatimin e ligjit, në rastet kur ligji nuk shprehet për kompetencën për shqyrtimin e kundërvajtjes dhe nxjerrjen e vendimit përkatës;

ç) kryetarit të bashkisë apo të komunës, për shkelje të përcaktuara si të tilla nga këshilli bashkiak apo i komunës përkatëse, në përputhje me shkronjën “b” të nenit 6 të këtij ligji.

4. Në rastet kur kompetente për shqyrtimin e kundërvajtjes është gjykata, organi administrativ, që merret me zbatimin e ligjit të posaçëm, ka edhe detyrimin të vërë në lëvizje gjykatën për shqyrtimin e kundërvajtjes.

Neni 8

Llojet e sanksioneve administrative

1. Kur organi administrativ, kompetent për shqyrtimin e kundërvajtjes administrative, konstaton shkeljen e dispozitave, të cilat parashikojnë kundërvajtjen administrative, pas shqyrtimit, vendos dënimin me gjobë apo dënime të tjera administrative, në varësi nga parashikimi i ligjit të posaçëm.

2. Në rastet kur organi kompetent për shqyrtimin e kundërvajtjes administrative është gjykata, mund të vendoset dënimi:

a) me gjobë;

b) me heqje lirie deri në 30 ditë.

3. Në rastet kur për shkak të cilësive të veçanta të kundërvajtësit nuk mund të ekzekutohet dënimi administrativ me heqje lirie, atëherë gjykata bën zëvendësimin e dënimit me heqje lirie në dënim me gjobë, duke llogaritur një ditë heqje lirie baras me pagesën e të dënuarit për dy ditë punë.

4. Procedura që ndjek gjykata në rastet e dënimit me heqje lirie deri në 30 ditë përcaktohet me ligj.

5. Dënimi administrativ, në varësi të llojit të kundërvajtjes, mund të shoqërohet edhe me masa administrative parandaluese, të parashikuara në ligjin e posaçëm.

Neni 9

Ekzekutimi i kundërvajtjeve administrative

Vendimi për kundërvajtjen administrative, sipas këtij ligji, bëhet i ekzekutueshëm nga organi administrativ që e ka nxjerrë atë. Kur organi administrativ që ka nxjerrë vendimin e kundërvajtjes administrative, i cili është bërë i ekzekutueshëm, nuk ka në përbërjen e tij struktura të ekzekutimit me forcë të detyrimeve, për ekzekutimin e vendimit të kundërvajtjes administrative ngarkohet shërbimi përmbarimor, sipas këtij ligji.

Neni 10

Masa e gjobës

1. Masa e dënimit me gjobë përcaktohet nga ligji, i cili ka parashikuar kundërvajtjen administrative. Masa e dënimit me gjobë mund të jetë fikse apo e përcaktuar me kufij minimalë dhe maksimalë.

2. Në rastet kur ligji i posaçëm vendos kufij minimalë dhe maksimalë për vlerën e dënimit me gjobë, atëherë, për qëllim të marrjes së vendimit për kundërvajtjen administrative, organi administrativ kompetent për shqyrtimin e kundërvajtjes, përveç parimeve të parashikuara nga neni 18 i këtij ligji, miraton edhe metodikën apo parime të tjera shtesë, mbi të cilat mbështetet për përcaktimin e vlerës së gjobës, për rastet e kundërvajtjeve, për të cilat parashikohet i njëjti dënim.

3. Në rastet kur kundërvajtjet administrative parashikohen në aktet e miratuara nga këshilli bashkiak, masa e dënimit përcaktohet në këto akte. Në çdo rast masa e dënimit nuk mund të jetë më e madhe se 20 mijë lekë.

Neni 11

Sekuestrimi dhe konfiskimi i sendeve

1. Në rastet kur ligji i posaçëm parashikon për kundërvajtjet administrative edhe sekuestrimin apo konfiskimin e sendeve, sendet që kanë shërbyer ose që ishin caktuar për të shërbyer si mjete për kryerjen e kundërvajtjes administrative, sekuestrohen dhe kalojnë për ruajtje në rezervat materiale të shtetit. Përjashtim nga ky rregull përbëjnë rastet kur vërtetohet se ato janë të personave që nuk kanë marrë pjesë në kryerjen e kundërvajtjes administrative dhe se pronari nuk kishte dijeni se përse do të përdoreshin. Ky rregull zbatohet për sendet, të hollat dhe çdo përfitim tjetër pasuror, të vëna në dorë me anë të kundërvajtjes administrative. Kur marrja e sendit ose e përfitimit tjetër pasuror është e pamundur, kundërvajtësi paguan kundërvlerën e tyre në të holla.

2. Sendet dhe të hollat e sekuestruara konfiskohen pas kalimit të afatit të ankimit ndaj aktit administrativ që vendos masën e dënimit për kundërvajtjen administrative, ose pasi vendimi i gjykatës për lënien në fuqi të aktit administrativ të ketë marrë formë të prerë.

3. Sendet e konfiskuara në përputhje me dispozitat e pikave 1 dhe 2 të këtij neni, si dhe ato të konfiskuara në zbatim të ligjit të posaçëm, shiten në ankand, me përjashtim të rasteve kur ligji i posaçëm parashikon shkatërrimin e tyre.

4. Të hollat e konfiskuara dhe të ardhurat e tjera nga procesi i shitjes me ankand kalojnë në Buxhetin e Shtetit.

Neni 12

Shpërblimi i dëmit

1. Kur organi kompetent për shqyrtimin e kundërvajtjes administrative konstaton shkaktim dëmi, si pasojë e kundërvajtjes, pas përfundimit të shqyrtimit administrativ, vlerëson edhe masën e dëmit dhe në një akt administrativ më vete vendos shpërblimin e dëmit.

2. Në rastin e shkaktimit të dëmit, si pasojë e shkeljeve që, me ligj ose me vendim të këshillit bashkiak apo të komunës, parashikohen si kundërvajtje administrative, të kryera nga persona që kanë përgjegjësi administrative, përgjegjësia për shkaktimin e dëmit përcaktohet sipas dispozitave të Kodit Civil.

KREU II

PROCEDURAT E KONSTATIMIT DHE TË SHQYRTIMIT TË KUNDËRVAJTJES ADMINISTRATIVE

Neni 13

Mënyrat e marrjes së vendimit për kundërvajtjen administrative

1. Për kundërvajtjen administrative parashikohet:

a) marrja e gjobës në vend, në rastet kur kjo parashikohet nga ligji i veçantë;

b) mbajtja e aktit administrativ që konstaton shkeljen apo e një dokumenti tjetër të barasvlershëm me të nga personat e ngarkuar me ligj ose me akte të organeve te pushtetit vendor, në rastet kur konstatimi i shkeljes është i lidhur me vendin ku ndodh ngjarja;

c) nxjerrja dhe njoftimi i vendimit të organit të ngarkuar nga ligji, kur konstatimi i ngjarjes lidhet me shqyrtimin e dokumentacionit apo të të dhënave të tjera.

2. Në rastin e parashikuar në shkronjën “b” të pikës 1 të këtij neni, akti administrativ që konstaton shkeljen apo dokumenti tjetër i parashikuar nga ligji i posaçëm si i barasvlershëm me të e që nuk është procesverbal gjobe, i bashkëlidhet vendimit për kundërvajtjen administrative, që vendos dënimin me gjobë.

3. Në rastet kur dënimi me gjobë është pjesë e një akti administrativ më të gjerë, që trajton edhe çështje të tjera, pjesa që përcakton dënimin me gjobë trajtohet në përputhje me dispozitat e këtij ligji, sipas organit që e ka nxjerrë atë.

Neni 14

Mënyra e mbajtjes së procesverbalit apo e një dokumenti tjetër të barasvlershëm me të

1. Procesverbali i përmendur në shkronjën “b” të pikës 1 të nenit 13 të këtij ligji mbahet në vendin e kryerjes së kundërvajtjes dhe në kohën e konstatimit të saj, si rregull, në prani të kundërvajtësit dhe të dëshmitarëve të pranishëm dhe nënshkruhet nga përpiluesi, kundërvajtësi dhe dëshmitarët e pranishëm, në rast se ka. Ne procesverbal shënohen identiteti i kundërvajtësit dhe lloji i kundërvajtjes.

2. Në rastet kur kundërvajtësi kundërshton nënshkrimin e procesverba lit, ky fakt evidentohet në atë procesverbal.

3. Në rast se ligji i posaçëm ka parashikuar ankim administrativ ndaj aktit të organit që ka shqyrtuar kundërvajtjen administrative, atëherë kopja e procesverbalit i dërgohet menjëherë organit kompetent për shqyrtimin e ankimit. Përbërja e organit administrativ, që shqyrton ankimin, caktohet në dispozitat që e parashikojnë atë.

4. Kur procesverbali është procesverbal gjobe, që përpilohet menjëherë në vendin ku është kryer kundërvajtja, ai trajtohet sipas kreut III të këtij ligji. Në raste të tjera procesverbali është akt konstatues dhe si i tillë i bashkëlidhet vendimit që merret për kundërvajtjen administrative.

5. Dispozitat e këtij neni, të lidhura me procesverbalin, zbatohen në të njëjtën mënyrë edhe për dokumentin e barasvlershëm me procesverbalin, të parashikuar si të tillë nga ligji i posaçëm.

Neni 15

Mungesa e respektimit të ankimit në rrugë administrative

1. Vendimi për kundërvajtjen administrative nuk mund të ankimohet në rrugë gjyqësore nëse ligji i posaçëm parashikon të drejtën e subjektit për t’u ankuar në rrugë administrative, por kjo e drejtë nuk është ushtruar. Për ekzekutimin e tij zbatohen dispozitat e kreut V të këtij ligji.

2. Së bashku me kundërvajtjen administrative, kur është rasti, shqyrtohet edhe shpërblimi për dëmin e shkaktuar nga kundërvajtësi.

Neni 16

Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative në prani të kundërvajtësit

1. Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative, si rregull, bëhet në prani të kundërvajtësit.

2. Shqyrtimi mund të bëhet në mungesë:

a) kur vërtetohet se kundërvajtësi ka marrë dijeni dhe nuk ka shkaqe justifikuese për mosparaqitje;

b) kur ligji i posaçëm parashikon konstatimin e shkeljes nëpërmjet aparaturave;

c) për raste të tjera, të rregulluara me ligj të posaçëm.

Neni 17

Afatet e shqyrtimit

1. Shqyrtimi i kundërvajtjes administrative bëhet brenda 30 ditëve nga data e konstatimit të saj, por jo më vonë se 6 muaj pas kryerjes së kësaj kundërvajtjeje.

2. Nga rregulli i parashikuar në pikën 1 të këtij neni përjashtohen ato raste, për të cilat:

a) kompetente për shqyrtimin e kundërvajtjes është gjykata;

b) ligji i veçantë ka parashikuar afate të ndryshme;

c) konstatimi i shkeljeve bëhet nga struktura auditimi apo inspektimi.

Gjatë kryerjes së auditimeve apo inspektimeve, afatet dhe procedurat rregullohen nga ligji i posaçëm.

Neni 18

Kriteret për caktimin e llojit dhe të masës së dënimit

Në përzgjedhjen e llojit të dënimit dhe në caktimin e masës së tij, në rastet kur ligji ka parashikuar kufij minimalë e maksimalë të vlerës së gjobës, organi që shqyrton kundërvajtjen administrative duhet të marrë parasysh:

a) rrethanat e kryerjes së kundërvajtjes;

b) nëse kundërvajtësi rezulton i dënuar administrativisht edhe më parë;

c) rëndësinë e kundërvajtjes;

ç) pasojat që kanë ardhur nga veprimi apo mosveprimi.

Neni 19

Të dhënat që duhet të përmbajë vendimi për kundërvajtjen administrative

1. Në vendimin për kundërvajtjen administrative jepen:

a) organi që ka nxjerrë aktin;

b) identiteti i kundërvajtësit;

c) shpjegimi i përmbledhur i fakteve dhe i provave, ku mbështetet vendimi;

ç) shkelja e kryer, duke referuar në dispozitën ligjore ku mbështetet vendimi;

d) masat administrative, përfshirë dënimin me gjobë, detyrimin për shpërblimin e dëmit apo të tjera;

dh) sendet e sekuestruara, nëse ka;

e) cilësimi si titull ekzekutiv për masën e gjobës; ë) të drejtat për ankim dhe afati.

2. Përveç të dhënave të përmendura në pikën 1 të këtij neni, ligji i posaçëm mund të parashikojë edhe të dhëna të tjera, që duhet të përfshihen në vendimin e dënimit.

KREU III

VENDIMET PËR KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE QË PARASHIKOJNË DËNIM ME GJOBË DHE ATO QË NUK JANË ANKIMUAR NË RRUGË ADMINISTRATIVE

Neni 20

Objekti

Objekti i këtij kreu janë vendimet për kundërvajtjet administrative, që parashikojnë dënime me gjobë, të vendosura nga:

a) institucionet e organizuara si inspektorate shtetërore, pavarësisht nga mënyra e organizimit të tyre dhe nga objekti i veprimtarisë;

b) organet e administratës publike, që kanë kompetencën të nxjerrin akte administrative individuale, veprimtaria e të cilave rregullohet me ligj të posaçëm, i cili është referuar në trajtimin e procedurave në kreun III të këtij ligji;

c) organet e administratës publike, që kanë kompetencën të nxjerrin akte administrative individuale, veprimtaria e të cilave rregullohet me ligj të posaçëm, ligj i cili ka parashikuar kundërvajtjen administrative dhe dënimin me gjobë, por nuk është referuar në trajtimin e procedurave në kreun III të këtij ligji;

ç) autoritetet e kontrollit dhe të mbikëqyrjes publike, të cilat, në përputhje me kompetencat e tyre, sipas përcaktimit në ligj, kanë të drejtën e vendosjes së masave administrative me gjobë dhe që në strukturat e tyre nuk kanë persona të ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve administrative;

d) organet e administratës publike, nëse ligji i posaçëm, i miratuar pas hyrjes në fuqi të këtij l igji, parashikon kundërvajtje administrative dhe dënim me gjobë dhe referon në përgjithësi në këtë ligj;

dh) bashkitë dhe komunat.

Neni 21

Aktet e tjera administrative që i nënshtrohen zbatimit të këtij kreu

Akteve administrative, të përfshira në fushën e zbatimit të këtij kreu, përveç akteve administrative të lëshuara nga organet e parashikuara në nenin 20 të këtij ligji e që parashikojnë dënimin administrativ me gjobë, i nënshtrohen edhe vendimet për kundërvajtjet administrative, që parashikojnë dënime të natyrave të tjera dhe jo dënim me gjobë. Kjo bëhet kur ligji i posaçëm ka parashikuar procedura të ankimit administrativ, por e drejta për ankim nuk është ushtruar brenda afateve të parashikuara nga ligji i posaçëm.

Neni 22

Vendimi për kundërvajtjen administrative, që parashikon dënimin me gjobë, si titull ekzekutiv

1. Vendimi për kundërvajtjen administrative, që parashikon dënimin me gjobë, i vendosur nga organet administrative të përmendura në nenin 20 të këtij ligji, si dhe vendimet e parashikuara në nenin 21 të këtij ligji, përbëjnë titull ekzekutiv dhe për ekzekutimin e tyre ngarkohet shërbimi përmbarimor ose/dhe organet e përcaktuara në kreun V të këtij ligji.

2. Për zbatimin e këtij neni duhet të mbahen parasysh dispozitat e neneve 23 e 27 të këtij ligji.

Neni 23

Pezullimi i vendimit për kundërvajtjen administrative, që parashikon dënim me gjobë

Në rastet kur ligji i posaçëm ka parashikuar procedurë të ankimit administrativ dhe vendimi përfundimtar merret nga një organ administrativ më i lartë se organi administrativ, që ka nxjerrë vendimin e parë për kundërvajtjen administrative, atëherë ankimi administrativ pezullon ekzekutimin e aktit të parë të kundërvajtjes administrative, që ka parashikuar dënimin me gjobë, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Neni 24

Shndërrimi i vendimit për kundërvajtjen administrative në titull ekzekutiv

1. Vendimi për kundërvajtjen administrative bëhet titull ekzekutiv në momentin e nxjerrjes së vendimit përfundimtar nga organi administrativ që ka kompetencën për shqyrtimin përfundimtar të kundërvajtjes në rrugë administrative.

2. Vendimi për kundërvajtjen administrative, që parashikon dënim që është i natyrave të tjera dhe jo dënim me gjobë, bëhet titull ekzekutiv, kur ligji i posaçëm ka parashikuar procedura të ankimit administrativ, por e drejta për ankim nuk është ushtruar brenda afateve të parashikuara nga ligji i posaçëm.

Neni 25

Njoftimi dhe afatet e njoftimit

Për njoftimin dhe afatet e njoftimit të vendimeve për kundërvajtjet administrative zbatohen dispozita të ligjit të posaçëm dhe kur në ligjin e posaçëm nuk parashikohen dispozita të tilla, atëherë zbatohen dispozitat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.

Neni 26

Ankimi në rrugë gjyqësore

1. Kundër vendimit për kundërvajtjen administrative, që parashikon dënim me gjobë, të nxjerrë nga organi i administratës, mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.

2. Në rastin e shqyrtimit në rrugë gjyqësore të vendimit për kundërvajtjen administrative, që ka parashikuar dënim me gjobë, gjykata shqyrton ligjshmërinë e aktit dhe, kur gjykon se organi administrativ ka keqinterpretuar ligjin, ka tejkaluar apo ka shpërdoruar kompetencat, vendos edhe në lidhje me dënimin.

3. Barra e provës në kundërvajtjen administrative bie mbi organin e administratës publike që ka nxjerrë vendimin për kundërvajtjen administrative.

Neni 27

Marrëveshja e pagesës me këste

1. Kur një rrethanë financiare pengon subjektin e ndëshkuar nga akti administrativ, për të paguar plotësisht dhe në afat masën e gjobës, ai mund të lejohet të lidhë marrëveshje pagese me këste.

2. Subjekti paraqet një kërkesë me shkrim, për të lidhur një marrëveshje pagese me këste. Kërkesa duhet t’i drejtohet titullarit të organit administrativ që ka lëshuar aktin administrativ të dënimit me gjobë dhe në të duhet të parashtrohen arsyet, që e pengojnë kundërvajtësin të paguajë menjëherë të gjithë masën e gjobës.

3. Marrëveshja e pagesës me këste bëhet me shkrim. Në marrëveshje duhet të parashikohen këstet dhe afati i shlyerjes së tyre. Marrëveshja nënshkruhet nga të dyja palët dhe nuk mund të parashikojë afate më të gjata se gjashtë muaj nga data e nënshkrimit.

4. Mospagesa në afat qoftë edhe e një kësti të vetëm zgjidh automatikisht marrëveshjen dhe pjesa e mbetur e detyrimit reflektohet në një vendim administrativ të të njëjtit organ që ka nxjerrë aktin e parë dhe për ekzekutimin e vendimit të ri administrativ zbatohen dispozitat e nenit 22 të këtij ligji.

KREU IV

ANKIMI I VENDIMIT PËR KUNDËRVAJTJEN ADMINISTRATIVE QË NUK PARASHIKON DËNIM ME GJOBË

Neni 28

Fusha e zbatimit

Dispozitat e këtij kreu zbatohen për vendimet për kundërvajtjet administrative, të nxjerra nga organet administrative:

a) kur akti administrativ parashikon dënime të natyrave të tjera dhe jo dënim me gjobë;

b) vetëm për pjesën që nuk parashikon dënim me gjobë, kur akti administrativ , përveç çështjeve të tjera, trajton edhe dënimin me gjobë;

c) në çdo rast, kur një gjë e tillë parashikohet nga ligji i posaçëm.

Neni 29

Afati dhe procedura e ankimit

1. Kundër vendimit për kundërvajtjen administrative, që parashikon dënim administrativ të natyrave të tjera dhe jo dënimin me gjobë, të nxjerrë nga organi administrativ, mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.

2. Gjykata që shqyrton ankimin, vendos në përputhje me nenin 331 të Kodit të Procedurës Civile.

KREU V

PROCEDURA TË PËRGJITHSHME PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT PËR KUNDËRVAJTJEN ADMINISTRATIVE

Neni 30

Arkëtimi i shumave të detyrimeve

1. Gjoba dhe shumat, që duhet të paguhen sipas vendimit për kundërvajtjen administrative, të nxjerrë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, paguhen nga kundërvajtësi brenda 10 ditëve, nga data kur:

a) është njoftuar kundërvajtësi për vendimin e dënimit me gjobë, që përbën titull ekzekutiv;

b) vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë.

2. Ligji i posaçëm mund të vendosë afate të tjera për detyrimin për arkëtimin e shumave.

3. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë paguhet kamatë 2 për qind në muaj të masës së gjobës, me përjashtim të rasteve kur ligji i posaçëm parashikon përqindje të ndryshme për kamatëvonesat.

4. Kërkesa për të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit bëhet në gjykatë përkatësisht nga:

a) kryetari i bashkisë apo komunës;

b) titullari i organit, që ka nxjerrë vendimin për kundërvajtjen administrative.

Neni 31

Procedura e mbledhjes me forcë të detyrimit

1. Për gjobat e vëna në bazë të akteve të këshillave të bashkive ose këshillave të komunave, që veprojnë brenda territorit të tyre, urdhri i ekzekutimit vihet në zbatim nga punonjësit e ngarkuar për këtë qëllim, në përputhje me përshkrimin e punës, me urdhër të titullarit të organit përkatës.

2. Për gjobat e vëna nga organet shtetërore, të cilat, sipas parashikimit të ligjit të posaçëm, kanë struktura për mbledhjen me forcë të detyrimeve, urdhri i ekzekutimit vihet në zbatim me urdhër të titullarit nga strukturat e ngarkuara për mbledhjen me forcë të detyrimeve.

3. Zbatimi i titujve ekzekutivë, kur është e nevojshme, bëhet në bashkëpunim me organet e Policisë së Shtetit.

4. Kur gjoba vendoset nga Policia e Shtetit, ajo zbatohet forcërisht me urdhër të titullarit të organit që e ka vënë atë.

5. Kur gjoba dhe detyrimet e tjera të parashikuara në vendimin për kundërvajtjen administrative nuk paguhen ose nuk nxirren dot nga paga, ato nxirren duke vënë sekuestro mbi pasurinë e të dënuarit për kundërvajtje administrative, qoftë edhe sikur ajo të ndodhet në dorën e personave të tjerë.

Neni 32

Urdhri i sekuestrimit

1. Në urdhrin e sekuestrimit përcaktohen edhe:

a) shuma e papaguar;

b) afati për pagesën e shumës;

c) pasuria që sekuestrohet;

ç) mënyra e ekzekutimit të sekuestrimit;

d) shuma e shpenzimeve të vënies në ekzekutim;

dh) informacioni rreth së drejtës për ankim.

2. Nëse objekt i sekuestrimit është paga e kundërvajtësit, në urdhër përcaktohen edhe emri e adresa e punëdhënësit të kundërvajtësit.

Neni 33

Sekuestrimi i pasurisë

1. Kur parashikohet nga ligji i posaçëm, sekuestrimi i pasurisë bëhet në prani të kundërvajtësit ose të familjarëve të tij, të administratorit të lagjes apo të kryeplakut të fshatit dhe, në mungesë të tyre, në prani të dy dëshmitarëve.

2. Nëpunësi i ngarkuar me sekuestrimin e pasurisë bën të ditur qëllimin e ardhjes, kërkon pagimin e gjobës përpara se të vihet dorë mbi pasurinë e të dënuarit dhe, kur e shikon të justifikuar kërkesën, ka të drejtë ta shtyjë ekzekutimin deri në 5 ditë, duke lënë pasurinë, mbi të cilën do të vihet sekuestroja, në përdorim të personit të dënuar apo të familjarëve të tij.

3. Nëpunësi sekuestrues është, sipas rastit, përmbaruesi gjyqësor ose nëpunës i atyre strukturave që kanë në përbërjen e tyre punonjës për ekzekutimin e vendimeve.

4. Përjashtohen nga sekuestrimi sendet, që përcaktohen me dispozita të veçanta.

Neni 34

Kundërshtimi nga kundërvajtësi

1. Kur nëpunësi i ngarkuar me sekuestrimin has në kundërshtimin e kundërvajtësit apo të poseduesit të pasurisë, urdhërohet marrja forcërisht e saj.

2. Për sekuestrimin e pasurisë mbahet procesverbal, ku përmenden personat e pranishëm dhe karakteristikat e pasurisë së marrë. Pasuria e sekuestruar transportohet e depozitohet në magazina ose dyqane për shitjen, që ngrihen për këtë qëllim. Vlera e pasurisë caktohet me ekspertë të ngarkuar nga nëpunësi sekuestrues. Pasuria shitet me procedurë ankandi.

Neni 35

Përllogaritja e sendit të sekuestruar

1. Sekuestroja vihet mbi sende, vlera e të cilave plotëson pagimin e gjobës, të kamatave e të shpenzimeve të bëra për ekzekutimin e saj.

2. Në rast se sendi i sekuestruar është i ndashëm dhe rezulton me një vlerë më të madhe nga ajo që kërkohet, ndahet prej tij aq sa është e nevojshme për marrjen e gjobës e të detyrimeve të tjera dhe për shpenzimet e bëra, ndërsa diferenca i kthehet pronarit të s endit ose depozitohet në emër të tij.

Neni 36

Sekuestrimi i pasurisë së paluajtshme

1. Sekuestrimi i pasurisë së paluajtshme kryhet vetëm kur pasuria e luajtshme nuk mjafton për pagimin e gjobës.

2. Nëpërmjet zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, nëpunësi sekuestrues njihet me pasurinë, mbi të cilën mund të vihet sekuestroja. Vlera e saj duhet të jetë sa më afër madhësisë së gjobës.

3. Shitja e kësaj pasurie bëhet me ankand, pasi të jetë përcaktuar me parë vlera nga ekspertë të ngarkuar nga nëpunësi sekuestrues.

Neni 37

Zbatimi në vend i dënimit me gjobë

1. Në rastet kur ligji i posaçëm ka vendosur pagesën në vend të gjobës, zbatimi i dënimit me gjobë bëhet në vend nga personi i ngarkuar për këtë qëllim. Kur zbatimi bëhet i pamundur, mbahet procesverbal dhe gjoba vilet në përputhje me kreun III të këtij ligji.

2. Përjashtim nga rregulli i vendosur pikën 1 të këtij neni bën zbatimi i dënimeve me gjoba fikse, të vendosura nga punonjësit e organeve të Policisë së Shtetit, vlerën e të cilave kundërvajtësi e paguan në arkën e komisariatit të policisë, në territorin e të cilit është kryer kundërvajtja administrative. Për zbatimin e këtij rregulli, Ministri i Brendshëm miraton udhëzimin përkatës.

Neni 38

Transferimi i detyrimit

Në rastet kur individi, personi fizik apo juridik, i cili ka marrë njoftim për nxjerrjen e vendimit për kundërvajtjen administrative, që parashikon dënim me gjobë, përpara se vendimi të marrë formë të prerë apo të vihet në ekzekutim, ia transferon një personi tjetër të drejtat mbi pasurinë, me qëllim shmangien e pagesës së shumës së detyrimit, atëherë personi tjetër bëhet në radhë të dytë përgjegjës për detyrimin e pashlyer. Kjo përgjegjësi shkon deri në vlerën e të drejtave të transferuara.

Neni 39

Përgjegjësia e administratorit të personit juridik tregtar

Nëse administratori i personit juridik nuk shlyen apo nuk pranon që, brenda afatit të parashikuar në këtë ligj, të shlyejë gjobat administrative, të nxjerra për llogari të personit juridik që ai përfaqëson, ai bëhet personalisht përgjegjës për shlyerjen e detyrimit.

KREU VI

PËRDORIMI I TË ARDHURAVE DHE PËRGJEGJËSIA E ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Neni 40

Detyrime për bashkitë dhe komunat

Për qëllim të zbatimit të procedurave të parashikuara në këtë ligj, për magazinimin dhe shitjen e sendeve të sekuestruara e të konfiskuara, bashkitë dhe komunat marrin masa për ngritjen e magazinave e të dyqaneve, që kanë kapacitet të mjaftueshëm për veprimtari depozitimi e shitjeje.

Neni 41

Shpërndarja e të ardhurave të mbledhura nga gjobat

1. Të ardhurat nga gjobat dhe të ardhurat e tjera, të mbledhura në zbatim të dispozitave të këtij ligji, kalojnë në Buxhetin e Shtetit, me përjashtim: 3924

a) të të ardhurave nga kundërvajtjet, të miratuara nga organet kolegjiale të njësive të qeverisjes vendore, të cilat kalojnë 100 për qind në favor të buxhetit të pavarur të bashkisë ose të komunës;

b) të rasteve kur ligji i posaçëm ka vendosur ndryshe.

2. Të gjitha gjobat, që vilen nga bashkia ose komuna në rolin e agjentit, kalojnë 80 për qind në Buxhetin e Shtetit dhe 20 për qind në buxhetin e bashkisë ose të komunës.

Neni 42

Mënyra e përdorimit të të ardhurave të mbledhura nga gjobat

1. Shumat, që i kalojnë bashkisë ose komunës, përdoren dhe shpërndahen sipas vendimeve të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore.

2. Shumat, që i mbeten organit administrativ dhe që nuk kalojnë në Buxhetin e Shtetit, përdoren në përputhje me parashikimet e bëra në ligjin e posaçëm.

Neni 43

Përjashtimi nga detyrimet

1. Për vënien në ekzekutim të vendimeve për kundërvajtjet administrative, organet e administratës shtetërore përjashtohen nga detyrimi për parapagimin e tarifave gjyqësore dhe për veprimet e shërbimet, që kryhen nga administrata gjyqësore dhe përmbaruesi gjyqësor.

2. Shpenzimet për vënien në ekzekutim të vendimeve për kundërvajtjet administrative përballohen nga kundërvajtësi.

Neni 44

Përgjegjësia e punonjësit të organit administrativ

Në rast se gjobat dhe detyrimet e tjera, të vendosura nga vendimi për kundërvajtjen administrative, nuk paguhen për mosveprim të punonjësit të organit administrativ, i cili ka miratuar vendimin përkatës dhe detyrimin që të kërkojë arkëtimin e shumave, apo për shkak se punonjësi nuk nis procedurat e vënies në ekzekutim të aktit administrativ, atëherë ndaj tij fillojnë procedurat e largimit nga detyra.

Neni 45

Ekzekutimi i dënimit me heqje lirie

1. Dënimi me heqje lirie zbatohet nga organet e parashikuara nga ligji.

2. Procedura e ekzekutimit të dënimit me heqje lirie për një kundërvajtje administrative bëhet sipas procedurave për ekzekutimin e vendimit të dënimit me heqje lirie për një vepër penale.

Neni 46

Parashkrimi i dënimit administrativ

Me përjashtim të rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe, dënimi administrativ, i nxjerrë nga organi i administratës publike, i cili nuk ekzekutohet me kalimin e dy viteve nga data e nxjerrjes së vendimit për kundërvajtjen administrative, parashkruhet. Në këtë rast, organi administrativ, që ka nxjerrë vendimin për kundërvajtjen administrative, me vendim konstaton parashkrimin. Në vendimin, ku konstatohet parashkrimi i dënimit administrativ, listohen edhe arsyet që kanë çuar në këtë përfundim.

Neni 47

Shuarja e dënimit administrativ

Kundërvajtësi, i cili, pas kalimit të dy viteve nga data e dhënies së dënimit, nuk ka kryer kundërvajtje tjetër administrative dhe ka shlyer detyrimet e lidhura me kundërvajtjen, quhet i padënuar administrativisht.

KREU VII

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 48

Zbatimi i ligjit të ri

1. Për të gjitha vendimet për kundërvajtjet administrative, të nxjerra pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe për kundërvajtjet administrative të konstatuara përpara hyrjes në fuqi të tij, për të cilat nuk kanë filluar ende procedurat e shqyrtimit administrativ apo procedurat e shqyrtimit administrativ janë në vijim, zbatohen dispozitat e këtij ligji.

2. Për të gjitha vendimet për kundërvajtjet administrative, që parashikojnë dënime administrative me gjobë, për të cilat kanë përfunduar procedurat e shqyrtimit administrativ përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe për to nuk ka filluar procedura e shqyrtimit gjyqësor, zbatohen dispozitat e kreut III të këtij ligji.

3. Për të gjitha vendimet për kundërvajtjet administrative, që parashikojnë dënime administrative të natyrave të tjera, të ndryshme nga dënimi me gjobë, për të cilat kanë përfunduar procedurat e shqyrtimit administrativ përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe për to nuk ka filluar procedura e shqyrtimit gjyqësor, zbatohen dispozitat e kreut IV të këtij ligji.

4. Për të gjitha vendimet për kundërvajtjet administrative, që parashikojnë dënime administrative me gjobë e për të cilat ka një vendim gjyqësor të formës së prerë, të nxjerrë të paktën përpara 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji e për të cilin nuk është kërkuar ende vënia në ekzekutim, zbatohen procedurat e parashikuara në kreun V të këtij ligji.

Neni 49

Ekzekutimi i detyrimeve

Brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, organi administrativ përkatës, me vendim, evidenton dhe shpall publikisht rastet, për të cilat ka vendim gjyqësor të formës së prerë për një dënim administrativ, për të cilin nuk është kërkuar ekzekutimi, si dhe merr masa për ekzekutimin e tyre sipas këtij ligji.

Neni 50

Shfuqizime

Ligji nr. 7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 51

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.6597, datë 7.6.2010 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi