L I G J
Nr.7870, datë 13.10.1994
PER SIGURIMET SHENDETESORE NE REPUBLIKEN E SHQIPERISE
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
“Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozim të Këshillit
të Ministrave,
KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE
V E N D O S I :
I. DISPOZITA TE PERGJITHSHME
Neni 1
Përkufizime
Termat:
“Shtetas” përfshin gjithë shtetasit e Republikës së
Shqipërisë.
“Persona ekonomikisht aktivë” përfshin gjithë personat e
punësuar, të vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe personat me të
ardhura të rregullta nga pronat, pasuria e patundshme ose burime
të tjera të krahasueshme.
“Persona të punësuar” përfshin gjithë personat e punësuar
me ose pa kontratë pranë një punëdhënësi.
“Punëdhënës” përfshin gjithë personat fizikë e juridikë që
marrin në punë persona të tjerë me ose pa kontratë.
“Punonjës i papaguar i familjes” përfshin anëtarët e
familjes mbi 16 vjeç që punojnë e bashkëjetojnë me të
vetëpunësuarin dhe nuk kanë ndonjë punësim tjetër.
“Punonjës të huaj” përfshin gjtihë shtetasit e huaj që
punojnë në Shqipëri.
“Kontribut” përfshin gjithë paratë që derdhen në favor të
ISKSH (Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor).
“Mjek i përgjithshëm” është mjeku i diplomuar, i pajisur me
licencë për ushtrimin e profesionit, i cili i jep popullsisë
kujdesin shëndetësor, parësor dhe të vazhdueshëm, pavarësisht nga
mosha, seksi ose sëmundja.
“Mjek i familjes” është mjeku i diplomuar dhe i
specializuar si mjek familjeje, i pajisur me licencë për
ushtrimin e profesionit, i cili i jep popullsisë kujdesin
shëndetësor, parësor dhe të vazhdueshëm, pavarësisht nga mosha,
seksi ose sëmundja.
“Shërbimi nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes” përfshin
vizitën dhe trajtimet e para të thjeshta të kryera nga vetë mjeku
i përgjithshëm ose i familjes.
Neni 2
Ky ligj rregullon financimin e kujdesit shëndetësor.
Neni 3
Financimi i kujdesit shëndetësor
Kujdesi shëndetësor financohet nga:
a) sigurimet shëndetësore të detyrueshme;
b) shteti;
c) pagesat e drejtpërdrejta të shtetasve;
ç) sigurimet shëndetësore vullnetare suplementare.
Neni 4
Sigurimet shëndetësore të detyrueshme
1. Sigurimi shëndetësor i detyrueshëm mbulon gjithë
shtetasit e Republikës së Shqipërisë me banim të përhershëm në
Shqipëri, si dhe të huaj e të punësuar e të siguruar në Shqipëri.
2. Sigurimet shëndetësore të detyrueshme janë një sistem
jofitimprurës që mbulojnë:
a) një pjesë të çmimit të barnave në rrjetin e hapur
farmaceutik;
b) shpenzimet e shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i
familjes për gjithë shtetasit në Shqipëri që kanë derdhur
kontribute.
3. Sigurimet shëndetësore të detyrueshme sigurohen nga një
institut shtetëror i pavarur – Instituti i Sigurimit të Kujdesit
Shëndetësor (më poshtë do të quhet ISKSH) dhe mbulojnë një pjesë
të çmimit të barnave kryesore të listës së miratuar nga Këshilli
i Ministrave dhe shpenzimet e shërbimit nga mjeku i përgjithshëm
ose i familjes. Masa e mbulimit përcaktohet çdo vit nga Këshilli
i Ministrave.
4. Kontributet paguhen nga shtetasit ekonomikisht aktivë
dhe shteti.
Punëdhënësit marrin pjesë në kontributet që paguhen nga
vetë ata dhe nga punonjësit e tyre.
Shteti kontribuon në ISKSH për popullsinë ekonomikisht
joaktive dhe për kategori të tjera sipas nenit 8, pika 2 dhe 3 të
këtij ligji.
Neni 5
Kujdesi shëndetësor shtetëror
Shteti financon:
a) masat shëndetësore parandaluese;
b) vizitën dhe ekzaminimet për qëllime diagonistikimi nga
specialisti, kujdesin shëndetësor spitalor, si dhe raste të tjera
të përcaktuara me ligj;
c) shërbimet e urgjencës;
ç) investimet.
Shteti kontribuon sipas nenit 34 të këtij ligji.
Shërbimet e urgjencës për rastet e jashtëzakonshme, si
aksidente masive, epidemi dhe fatkeqësi natyrore, organizohen nga
bashkitë dhe komunat me mbështetjen e qeverisë për financimin e
tyre. Për shërbime të tilla shpenzimet mbulohen sipas kritereve
të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Neni 6
Pagesat e drejtpërdrejta të shtetasve
Me pagesë të drejtpërdrejtë të shtetasve kuptojmë pagesën
direkte të një pjese të çmimit të barnave në përpjesëtim me
shumën e paguar nga ISKSH, sipas pikës 2, të nenit 4 të këtij
ligji.
Neni 7
Sigurimet shëndetësore vullnetare suplementare
1. Shtetasit mund të sigurojnë veten dhe familjet e tyre
vullnetarisht me skema të sigurimeve suplementare për mjekimet me
kosto të larta, që nuk mbulohen nga sigurimet e detyrueshme ose
për përfitime të tjera shtesë. Shtetasit mund të futen në
sigurimet shëndetësore vullnetare suplementare për të mbuluar
pagesën e tyre të drejtpërdrejtë për barnat, çmimet e protezave
dhe të xhamave optike, shërbimet dentare dhe shërbimet e tjera
ambulatore, që nuk mbulohen nga sigurimet e detyrueshme.
Sigurimet vullnetare gjithashtu mund t’i sigurojnë
shtetasve shqiptarë mbulimin e shpenzimeve të mjekimit jashtë
shtetit.
2. Sigurimet shëndetësore vullnetare suplementare
organizohen nga:
a) ISKSH;
b) Shoqatat e ndihmës së ndërsjelltë të themeluara për këtë
qëllim, si dhe
c) shoqëritë tregtare të sigurimit.
Për pikat b dhe c të këtij paragrafi është e domosdoshme që
këto subjekte të jenë të regjistruara në gjykatë, në përputhje me
legjislacionin në fuqi.
3. Sigurimi vullnetar nuk subvencionohet nga shteti.
4. Këshilli i Ministrave cakton një organ që:
a) kontrollon veprimtarinë e shoqërive të sigurimeve
vullnetare suplementare;
b) mbron interesat e personave të siguruar kundrejt
pasojave të abuzimeve financiare të siguruesit;
c) vendos rregullat për shoqëritë e ndihmës së ndërsjelltë,
të cilat janë themeluar për sigurimet shëndetësore suplementare.
II. SUBJEKTET PERGJEGJES PER TE PAGUAR KONTRIBUT
Neni 8
1. Personat ekonomikisht aktivë, të punësuar e të
vetëpunësuar në fshat e në qytet, punonjësit e papaguar të
familjes dhe persona të tjerë me të ardhura të rregullta nga
pronësia, sipas përcaktimit të Këshillit të Ministrave, janë të
detyruar të kontribuojnë në ISKSH.
2. Shteti kontribuon për personat joaktivë si:
a) fëmijët, nxënësit dhe studentët me shkëputje nga puna;
b) pensionistët
c) të paaftët (mendorë dhe fizikë);
ç) të papunët;
d) personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe asistencë
sociale
dh) nënat me leje lindjeje;
e) shtetasit që kryejnë shërbimin ushtrak të detyruar.
3. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të specifikojë grupe
të tjera shtetasish, për të cilët duhet të kontribuojë shteti,
sipas pikës 2 të këtij neni.
Neni 9
Detyrime për të paguar kontribute
Kontributet paguhen nga:
a) të punësuarit dhe punëdhënësit e tyre;
b) persona të tjerë ekonomikisht aktivë;
c) shteti.
III. KONTRIBUTET
Neni 10
1. Kontributet llogariten:
a) Në përqindje mbi pagën për:
– personat e punësuar;
– të huajt e punësuar në Shqipëri.
b) Në masë fikse për:
– të vetëpunësuarit (shqiptarë dhe të huaj në
Shqipëri) dhe punëdhënësit;
– punonjësit e papaguar të familjes.
c) Në masë fikse për:
– pjesën që derdhet nga buxheti i shtetit, sipas
nenit 34.
2. Kontributi sipas gërmës “a” të pikës 1 të këtij neni
është 3.4 për qind e pagës bruto, duke pasur si pagë minimale e
maksimale atë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për
kontributet e sigurimeve shoqërore. Pagesa e këtij kontributi
ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet punëdhënësit dhe të
punësuarit.
3. Kontributi sipas gërmës “b” pikës 1 të këtij neni është:
– për të vetëpunësuarit, punëdhënësit dhe punonjësit e
papaguar të familjes në qytet 7 për qind e pagës minimale, siç
përcaktohet në pikën 2 të këtij neni;
– për të vetëpunësuarit dhe punëtorët e papaguar të
familjes në fshat kontributi është: në zonën fushore 5 për qind
të pagës minimale dhe 3 për qind të pagës minimale për zonën
kodrinore-malore, duke pasur për bazë atë të përcaktuar nga
Këshilli i Ministrave për sigurimet shoqërore.
4. Ministri i Shëndetësisë për raste të veçanta ka të
drejtë ta ulë masën fikse të kontributit për:
a) punonjësit e papaguar të familjes;
b) disa kategori të bujqëve të vetëpunësuar.
Neni 11
1. Kontributet paguhen çdo muaj. Afati i derdhjes është jo
më vonë se fundi i muajit të ardhshëm. Punëdhënësi është i
detyruar të zbresë nga paga kontributin për punëmarrësin dhe ta
derdhë atë në ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore), së bashku
me kontributin e tij. ISSH është përgjegjës për transferimin e
kontributeve në ISKSH.
2. Personat e vetëpunësuar dhe punëdhënësit me më pak se 3
punëtorë paguajnë kontributet dhe i derdhin ato në ISSH çdo
tremujor, sipas afateve të derdhjes së kontributeve të sigurimeve
shoqërore të përcaktuara me vendim të Këshillit të Minist rave.
Personat e vetëpunësuar janë të detyruar të paguajnë
kontribute për vete dhe për anëtarët e familjes që ata punësojnë.
3. Bujqit e vetëpunësuar paguajnë kontributet e tyre dhe të
anëtarëve të familjes mbi 16 vjeç që ata punësojnë, dy herë në
vit, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.
Neni 12
Sanksionet
1. Të gjithë të siguruarit janë të detyruar të regjistrohen
në ISSH për efekt të sigurimeve shëndetësore. Regjistrimi i të
punësuarve bëhet nga punëdhënësit e tyre. Mosregjistrimi dënohet
me gjobë sa dyfishi i kontributit për gjithë periudhën e
mosregjistrimit.
2. Për vonesa në pagesën e kontributeve paguhet një kamatë
me 0.5 për qind për çdo ditë vonesë.
3. Për vonesa prej 1 muaji në pagesën e kontributeve i
hiqet e drejta shtetasit për mbulimin e çmimit të barnave dhe të
shpenzimeve të shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes
për periudhën e vonesës.
Gjobat vendosen nga inspektorët e sigurimeve shoqërore dhe
ekzekutimi i tyre bëhet në përputhje me ligjin “Për kundërvajtjet
administrative”.
IV. PERFITIMET
Neni 13
I siguruari përfiton mbulimin e:
a) një pjese të çmimit të barnave sipas pikës 3, neni 4, të
këtij ligji;
b) shpenzimeve të shërbimit nga mjeku i përgjithshëm dhe
mjeku i familjes.
Neni 14
Mbulimi i shpenzimeve
Shpenzimet e shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i
familjes mbulohen në varësi nga numri i personave të regjistruar
te ky mjek. Rregullat për përcaktimin e masës së shpërblimit të
punës vendosen nga Këshilli i Ministrave.
Neni 15
Masa e mbulimit të çmimit të barnave
1. Masa e mbulimit të çmimeve të barnave të listës kryesore
përcaktohet çdo vit nga ISKSH me miratim të Këshillit të
Ministrave.
2. Atje ku ka më shumë barna alternative për t’u përdorur
në një rast, me të njëjtin efekt, ISKSH mbulon çmimin e më pak të
kushtueshmit. Më të kushtueshmit mund të sigurohen vetëm sipas
kushteve të përcaktuara nga këshilli administrativ i ISKSH.
Neni 16
Kufizimet
ISKSH nuk mbulon çmimin e protezave dhe të syzeve optike,
si dhe nuk siguron asnjë shpenzim tjetër shëndetësor, me
përjashtim të atyre të parashikuara në këtë ligj dhe të
përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
V. ORGANIZIMI DHE DREJTIMI
Neni 17
Sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë
organizohen e drejtohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit
Shëndetësor. ISKSH është një institucion shtetëror i pavarur, i
cili ka administratën e vet, në qendër e në rreth.
Neni 18
Statuti
Organizimi dhe veprimtaria e ISKSH drejtohen mbi bazën e
një statuti të miratuar nga Këshilli i Ministrave, me propozim të
Ministrisë së Shëndetësisë dhe ISKSH.
Neni 19
Drejtimi
ISKSH drejtohet nga:
a) këshilli administrativ;
b) drejtori i përgjithshëm.
Neni 20
Këshilli Administrativ
1. Këshilli Administrativ është organi më i lartë ekzekutiv
dhe përbëhet nga 11 anëtarë, prej të cilëve:
a) Tre anëtarë të caktuar nga Këshilli i Ministrave, që
përfaqësojnë:
– Ministrinë e Shëndetësisë;
– Ministrinë e Punës, Emigracionit dhe Përkrahjes Sociale;
– Ministrinë e Financave dhe
Një anëtar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore
Një anëtar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit
Shëndetësor.
b) Dy përfaqësues: një nga sindikata që ka numrin më të
madh të anëtarëve dhe një nga organizata më e madhe e bujqve.
c) Katër përfaqësues të palëve të interesuara: një nga
urdhri i mjekëve, një nga një organizatë punëdhënësish, një nga
prodhuesi më i madh farmaceutik në Shqipëri dhe një nga shoqata e
farmacistëve.
2. Këshilli i Ministrave deklaron se cila sindikatë,
organizatë bujqish e punëdhënësish është më e madhja dhe cili
është prodhuesi më i madh farmaceutik, që emërojnë përfaqësuesit
e tyre në Këshillin Administrativ.
3. Sipas deklarimeve të Këshillit të Ministrave,
organizatat e mësipërme emërojnë anëtarët e Këshillit
Administrativ. Afati i shërbimit në këshill është 4
vjet.
Neni 21
Kryesia e Këshillit Administrativ
Këshilli Administrativ zgjedh me votim të fshehtë kryetarin
dhe dy zëvendëskryetarët e tij.
Neni 22
Kompetencat e Këshillit Administrativ
Këshilli Administrativ ka këto kompetenca:
a) Propozon emërimin dhe shkarkimin e drejtorit të
përgjithshëm.
b) Miraton për çdo vit programin e paraqitur nga drejtori i
përgjithshëm, raportin, bilancin, buxhetin vjetor dhe
perspektivat trevjeçare të skemës së sigurimeve shëndetësore.
c) Propozon në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në ISSH
ndryshimet në statutin e ISKSH dhe në ligjin e sigurimeve
shëndetësore;
ç) Vendos për lidhjen e marrëveshjeve dhe kontratave të
rëndësishme.
d) Miraton rregulloret e propozuara nga drejtori i
përgjithshëm, që kanë të bëjnë me çështje financiare.
dh) Miraton komitetin e kontrollit për veprimtarinë e
ISKSH.
e) Miraton rregulloret e ISKSH lidhur me organizimin,
administrimin dhe procedurat administrative, kur është ngarkuar
nga ky ligj.
ë) përcakton dhe miraton strukturën dhe numrin e punonjësve
të ISKSH, si dhe pagat e tyre.
Neni 23
Kompetencat e drejtorit të përgjithshëm
Drejtori i përgjithshëm i ISKSH emërohet dhe shkarkohet nga
Ministri i Shëndetësisë dhe i Mbrojtjes së Ambientit me propozim
të Këshillit Administrativ dhe:
a) drejton veprimtarinë e ISKSH;
b) raporton çdo vit për veprimtarinë e ISKSH në Këshillin
Administrativ;
c) emëron zëvendësdrejtorin e përgjithshëm dhe drejtorët e
ISKSH;
ç) përcakton rregulloren e brendshme të ISKSH;
d) emëron punonjësit e ISKSH dhe kryetarët e degëve në
rrethe,
dh) vendos për të gjitha çështjet e administrimit të ISKSH
dhe raporton para këshillit administrativ për veprimtarinë e tij;
e) propozon në këshillin administrativ buxhetin e ISKSH,
planin financiar dhe paraqet raportin vjetor, parashikimin për
tre vjet dhe rregulloret e ISKSH lidhur me kontributet dhe
problemet financiare.
Neni 24
Ministri i Shëndetësisë
1. Ministri i Shëndetësisë është përgjegjës për drejtimin e
politikës shëndetësore të ISKSH.
Këshilli Administrativ i paraqet ministrit të Shëndetësisë:
a) raportin vjetor dhe bilancin;
b) projektbuxhetin për vitin pasardhës;
c) parashikimin e shpenzimeve për tre vjetët e ardhshëm.
2. Ministri i Shëndetësisë, në bazë të propozimit të
Këshillit Administrativ të ISKSH, shqyrton:
a) amendamente në ligjin e sigurimeve shëndetësore;
b) projektvendime për në Këshillin e Ministrave;
c) akte të tjera nënligjore.
Neni 25
Instituti i Sigurimeve Shoqërore
1. Instituti i Sigurimeve Shoqërore është përgjegjës për:
a) mbledhjen e kontributeve për llogari të buxhetit të
ISKSH;
b) regjistrimin e gjithë personave të siguruar sipas skemës
së sigurimit të detyrueshëm të përcaktuar nga ky ligj dhe
pajisjen me karta sigurimi.
2. Fondet e mbledhura derdhen në buxhetin e ISKSH brenda
datës 15 të muajit të ardhshëm.
3. Instituti i Sigurimeve Shoqërore i paraqet çdo vit ISKSH
një raport për veprimet e tij sipas këtij ligji.
VI. ADMINISTRIMI
Neni 26
Administrimi
Administrimi përfshin mbulimin e një pjese të çmimeve të
barnave dhe të shërbimeve nga mjeku i përgjithshëm ose i
familjes.
ISKSH lidh kontratë me farmacitë private dhe mjekët e
familjes ose të përgjithshëm privatë. Të gjitha farmacitë
shtetërore dhe mjekët e familjes ose të përgjithshëm shtetërorë,
konsiderohen automatikisht të kontraktuar.
Një pjesë e çmimit të barnave sipas nenit 15, pika 1, të
këtij ligji dhe shpenzimet e shërbimeve nga mjeku i përgjithshëm
ose i familjes, për farmacitë dhe mjekët e përgjithshëm a të
familjes, që kanë kontratë me ISKSH, mbulohen nga buxheti i
ISKSH.
ISKSH vepron nëpërmjet një rrjeti nëpunësish të rretheve.
Për barnat, administratori i rrethit mbulon shpenzimet në bazë të
dokumentacionit të shpenzimeve faktike mujore ose dyjavore të
paraqitura nga farmacitë. Për mjekun e përgjithshëm ose të
familjes administratori i rrethit mbulon çdo muaj shpenzimet
në bazë të numrit të personave të regjistruar te mjeku i
përgjithshëm ose i familjes.
Detyrat e administratorit përcaktohen në rregulloren e
ISKSH.
Procedurat e hollësishme të administrimit përcaktohen me
akte të Këshillit të Ministrave.
Neni 27
Regjistrimi dhe identifikimi
1. Personat e siguruar me ligjin e Sigurimeve Shoqërore
janë automatikisht:
a) të regjistruar për Sigurimet Shëndetësore Kombëtare;
b) përgjegjës për të paguar kontributet e sigurimeve
shëndetësore.
2. Identifikimi i personave të tjerë që përshkruhen në
nenin 8, pika 2, përcakto het me vendim të Këshillit të
Ministrave.
Neni 28
Mbledhja e kontributeve
Për regjistrimin dhe mbledhjen e kontributeve për ISKSH
zbatohen procedurat që përcaktohen në ligjin e sigurimeve
shoqërore. ISSH i kryen këto veprimtari kundrejt një shpërblimi,
masa e të cilit përcaktohet në aktmarrëveshjen e përbashkët
ndërmjet ISSH dhe ISKSH. Në këtë marrëveshje përcaktohen dhe të
drejtat e detyrat e secilës palë. Mosmarrëveshjet ndërmjet
palëve zgjidhen nga gjykata.
Neni 29
Pagesa e përfitimeve
Personat e punësuar dhe personat ekonomikisht aktivë kanë
të drejtën e mbulimit të shpenzimeve që përcaktohen në këtë ligj,
pasi të vërtetojnë se kanë paguar kontribute sipas afateve të
përcaktuara në këtë ligj.
Pagesa e kontributeve vërtetohet nga një kartë sigurimi që
u jepet:
a) personave të punësuar për periudhën e punësimit;
b) personave të vetëpunësuar dhe punëdhënësve.
Neni 30
Ankimet
1. Cilido subjekt i përshkruar në këtë ligj ka të drejtën e
ankimit në ISKSH ndaj veprimeve të administratorit të ISKSH në
rreth, që lidhen me mbulimin e shpenzimeve.
2. Ankimi kundër vendimit të ISKSH zgjidhet nga gjykata
kompetente.
VII. FINANCIMI
Neni 31
Shteti garanton fondin e ISKSH në rast falimentimi.
Neni 32
Fondi rezervë
Çdo tejkalim i kontributeve mbi përfitimet ruhet në një
fond rezervë, i cili përdoret sipas kritereve financiare të
përcaktuara në statut.
Neni 33
Buxheti i ISKSH
1. Në buxhetin e ISKSH parashikohen të ardhurat, shpenzimet
për barnat dhe për shërbimin nga mjeku i përgjithshëm ose i
familjes dhe shpenzimet administrative. Për parashikimin e të
ardhurave merret edhe mendimi i ISSH dhe i Ministrisë së
Financave.
2. Buxheti i ISKSH paraqitet nga Ministria e Shëndetësisë
në Këshillin e Ministrave dhe në Kuvendin Popullor, së bashku me
buxhetin e shtetit.
Neni 34
Kontributi i shtetit
Kontributi i shtetit për personat ekonomikisht joaktivë të
përcaktuar në nenin 8, pika 2, bazohet në konsumin për frymë të
shërbimit shëndetësor që parashikon ky ligj. Konsumi për frymë
për shërbimin shëndetësor përcaktohet nga ISKSH dhe miratohet nga
Kuvendi Popullor, së bashku me buxhetin e shtetit. Për vitin e
parë të zbatimit të ligjit, kontributi i shtetit në ISKSH është
subvencioni i çmimeve të barnave dhe pjesa e planifikuar e fondit
të pagës së mjekut të përgjithshëm nga buxheti i shtetit për
Ministrinë e Shëndetësisë.
IX. PROCEDURAT
Neni 35
1. ISKSH nxjerr udhëzime për procedurat që duhet të ndiqen
për mbulimin e shpenzimeve.
2. ISSH nxjerr udhëzime lidhur me procedurat që duhet të
ndiqen për regjistrimin dhe pagesën e kontributeve.
X. DISPOZITA PERFUNDIMTARE DHE TE TRANZICIONIT
Neni 36
Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore për zbatimin
e këtij ligji.
Neni 37
Skema hyn në fuqi më 1 mars 1995.
Neni 38
Çdo dispozitë që bie në kundërshtim me këtë ligj,
shfuqizohet.
Neni 39
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren
Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.950, datë 25.10.1994 të Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, Sali Berisha.